Integrimi - 7 shtete evropiane thirrje BE-së për pranimin në Union të Serbisë e Malit të Zi
10/07/2017 - 16:37 Nga: Saimir Lleshi

Shtatë shtete nga Evropa Qendrore i kërkuan Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë pranimin e Malit të Zi dhe Serbisë në Union, duke deklaruar se një dështim për të integruar Ballkanin Perëndimor mund të përbëjë kërcënim për sigurinë e të gjithë rajonit.

Ministrat e Jashtëm të grupit të vendeve të Vishegradit – Hungaria, Sllovakia, Polonia dhe Republika Çeke- si dhe Austria, Sllovenia dhe Kroacia u takuan në Budapest për të diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me migracionin dhe situatën në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë.

“Nëse ne nuk mund ta përshpejtojmë procesin e integrimit evropian (në Ballkanin perëndimor) … do të duhet të përballemi me sfida serioze të sigurisë në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore”, tha ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto në një konferencë shtypi.

Szijjarto tha se BE duhet të përshpejtojë bisedimet e saj të pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë dhe duhet të hapë negociata për anëtarësim edhe me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, citon Reuters.

Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate për në BE por ende nuk kanë filluar bisedimet e pranimit, ndërsa Bosnja dhe Kosova nuk kanë marrë ende statusin e vendit kandidat.

Ministri i Jashtëm slloven Karl Erjavec tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin ndihmë në zbatimin e reformave të nevojshme për t’u kualifikuar për anëtarësimin në BE.

“Situata në Ballkanin Perëndimor është mjaft e errët, jo e qëndrueshme dhe … do të jetë e nevojshme të sigurohet se ka dialog për të forcuar stabilitetin në këtë rajon,” tha ai.

“Reuters”, shkruan se tensionet mbeten të larta midis Serbisë dhe Kosovës, pavarësia e të cilës nuk njihet nga Beogradi apo nga disa vende të tjera, ndërsa Maqedonia dhe Bosnja janë të përçara nga ndarjet etnike.

Perspektiva e anëtarësimit në BE për vite ka qenë nxitësi kryesor i reformave në Ballkan pas një dekade lufte dhe trazira në vitet 1990.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close