Reagimi - FA dhe Trepça ‘të paprekshme’, Prishtina mohon deklaratat e Beogradit
13/09/2017 - 21:09 Nga: Xhoi Malësia

Vetëm pak pasi Marko Gjuriç deklaroi se Lista Serbe ju bashkua koalicionit të Haradinaj me kushtin për të anuluar përpjekjet e themelimit të ushtrisë, Prishtina zyrtare i ka mohuar këto deklarata duke nënvizuar se formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës mbetet një nga pikat e programit qeverisës të Kryeministrit aktual. Në një reagim për mediat, zyrtarët e qeverisë kosovare e konsideruan këtë çështje si të praprekshme.

Kryeministri Ramush Haradinaj vijon të ketë si pjesë të programit të tij themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës si dhe çështjen e minierës së Trepçes.

Ishte ky konfirmimi i zyrës së shefit të të ekzekutivit kosovar, vetëm pak orë pasi drejtuesi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, u shpreh se Lista Serbe kishte pranuar t’a votonte Haradinajn me kushtin që këto dy pika të hiqeshin nga projekti i drejtimit të vendit për katër vitet e ardhshme.

Zyrtari i Beogradit shkoi edhe më tej, duke u shprehur se nisur nga kjo arsye, Haradinaj nuk ishte prononcuar më për themelimin e Forcave të Armatosura.

Megjithatë, në një reagim për mediat, zyrtarë të Kryeministrisë së Kosovës mohuan deklaratën.

Sipas tyre, krijimi i ushtrisë mbetet një nga prioritetet.

Gjithashtu, ata mohuan se marrëveshja për votimin e Haradinajt si Kryeminsitër ishte arritur mbi këto baza.

Lideri i AAK-së është votëbesuar nga 61 deputetë të Kuvendit, ndaj për këtë arsye, ekspertët kanë hedhur pikëpyetje të mëdha mbi qëndrueshmërinë e kabinetit.

Tashmë mbetet të shihet se çfarë hapash do të hedhë Haradinaj në drejtim të themelimit të ushtrisë.

Gjithashtu, me interes do të vëzhgohet edhe situata në minierën e Trepçes.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Trafikantët e drogës-policit: Ju tregoj unë çfarë të bëni tani

Close