Shtyrje? Basha e kalon krizën te Rama dhe Denar Biba shënohet ‘dëshmori i parë’ i saj
20/04/2017 - 22:41 Nga: Alfred Lela

 Një kërkesë e papritur e partive qeverisëse, PS dhe LSI, për shtyrjen e datës së regjistrimit të koalicioneve ‘me disa ditë’, tregon, për herë të parë, se opozita ia ka alë që ta transferojë krizën në kampin e shumicës parlamentare.

Sinjali i kësaj kërkese është ndezur që në fillim të prillit, nga vetë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili kërkoi të bashkonte në një datat e regjistrimit të partive me ato të koalicionit. Pra, të bënte 19 prillin një ‘afat skadence të dyfishtë’ duke ‘ndihmuar’ me gjasë opozitën, që t’i thërriste mendjes dhe të kryente regjistrimin.

Kësaj thirrjeje kryetari i opozitës, Basha iu përgjijg me një tjetër: Denar Biba, o idiot!

Biba, fatkeqësisht për të, është shtyrë drejt siluetës së idiotit nga ai që është shfaqur sot si shefi i tij politik, Edi Rama. Sepse kërkesa e PS, mbushur plot dëshirë të mirë, bashkohet me ‘lëshimin’ e dikurshëm të kryetarit të KQZ, gjithaq demonstrim i vullnetit të mirë.

Natyra e përbashkët i dekonspiron të dy lëshimet dhe të vetmin autor.

Përveçse dëshmon krizën që ka mbërritur te portat e qeverisë, lëshimi, apo shtyrja e afateve, dëshmon edhe për hipokrizinë e deritashme të ‘datave pranguese’ ligjore e kushtetuese të proklamuara me të madhe nga qeveria dhe mbështetësit e saj në media. Pse 18 qershori paska pahun e një date të shenjtëruar nga ligji dhe 19 prilli jo? A nuk u fryn e njëjta frymë këtyre caqeve ligjore, të cilat së bashku përbëjnë një hark datash që përmbyllin një periodicitet ligjor të kursit zgjedhor të Shqipërisë?

Sigurisht që, po.

Kur përdoren standarde të ndryshme për data që përkufizojnë të njëjtin kuptim ligjor, kemi të bjëmë me hipokrizi dhe sharlatanizëm bashkë.

Pavarësisht këtyre, më duket në njëfarë mase i pavend, reagimi bruto i aktorëve politikë, duke filluar nga Blushi i LIBRA-s, Bylykbashi si ekspert ligjor i opozitës, Edi Paloka si kryetar i parlamenatërve të PD, e me radhë.

Kërkesa për shtyrje është mënyra se si Kryeministri pranon krizën. Ai nuk e bën dot në mënyrë të hapur dhe kalorsiake, sepse jeton në kullën e argjendtë të qendrave të qyteteve të tij, të cilat i hedh, mish për synë, një mëngjes po e një jo, në Amarcord. Sepse ai jeton, jo këtu e tani, jo me ne e të tjerë, por në një ‘Shqipëri të gjeneratës tjetër’ të cilin e sheh vetëm ai nëpërmjet syrit të iluzionistit politik.

Ai sy i shkelur përkëdhel edhe Elisën e cila e skënderbeizon të tërën from here to eternity.

Rama ka filluar të lëshojë qytet, i rrethuar nga ujrat e pasigurisë, të cilat rriten edhe falë digës së LSI, të cilën e hap-e-mbyll, sipas humorit, Ilir Meta.

MacAllister është mirë të vijë dhe të ndërmjetësojë atë që, paradoksalisht, ngatërroi Gabriel edhe pse u duk se i dha fund, duke u sjellë si një gjerman në fillim, jo në fund të luftës.

Lufta këtu ka mbërritur në fund, dhe kriza si formë e saj është te dyert e Ramës.

Në mënyrën e vet ai e ka pranuar dhe Denar Biba ka qenë flija e parë.

/Marrë Politico.al/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Basha: Sot Edi Rama e shiti Saimir Tahirin për të shpëtuar lëkurën e tij

Close