Zbulohet një pikturë e rrallë Da Vincit me vlerë 15 milionë euro
11/01/2017 - 15:20 Nga: Xhoi Zajmi

Shtëpia franceze e ankandeve Tajan ekspozoi një pikturë me vlerë 15 milionë euro të artistit Leonardo Da Vinci, ku paraqitet figura e martirit Shën Sebastian, i lidhur në një pemë në një peizazh.

“Është absolutisht e jashtëzakonshme dhe akoma më e rrallë të zbulosh një pikturë nga Leonardo Da Vinci. Nuk kemi asnjë shembull tjetër. Mendoj se nuk ka patur një punim të zbuluar nga artisti për thuajse 50 vite. Piktura është në një gjendje tepër të mirë, sepse të gjitha pjesët kryesore të saj janë ruajtur,” shprehet drejtori i Mjeshtrave të Vjetër në Tajan, Thaddee Prate.

Në krahun tjetër të skicës, ekspertët gjithashtu gjetën shënime të shkruara mbrapsht dhe diagrama mbi dritën dhe hijen, që lidhen me studimet e Da Vincit rreth optikës. Sipas Prate, shënimet e gjetura në pikturë janë një tregues kryesor i origjinës së këtij punimi.

“Në anën e kundërt të pikturës, ne zbuluam këtë pjesë që përfaqëson skica tipike të Leonardos dhe veçanërisht të pikturave të tij të famshme dhe studimeve që gjejmë në Codex-in e tij. Dhe në të djathtën, shkrimi i tij mbrapsht, që gjithashtu është tipike për artistin, një gjë që vetëm ai e bënte. Është si një lloj nënshkrimi i punimit.”

Shtëpia e ankandeve ka bashkëpunuar me eksperten e mirënjohur të pikturave të Leonardos, Dr. Carmen Bambach, e cila është gjithashtu përgjegjëse në Departamentin e Pikturave në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork.

Piktura në bojë kafe, në përmasat 19.3 me 13 centimetra, besohet të jetë një nga tetë Shën Sebastianët e përmendur në Codex Atlanticus, një listë e përpiluar nga vetë Da Vinci. Është më e avancuara e skicave tashmë të njohura. Sipas Tajan, piktura është bërë në vitet e hershme të artistit, rreth vitit 1480.

Punimi është shpallur ‘thesar kombëtar’ nga Ministria Franceze e Kulturës, gjë që e bën të pamundur blerjen e saj nga koleksionues privatë.

“Dhe ndërkohë, Ministria Franceze e Kulturës e quajti pikturën një ‘thesar kombëtar’. Pra kjo na ndalon ta shesim ndërkombëtarisht. Jemi duke menduar për një shitje private, me marrëveshje reciproke me muzeun e Luvrit, që ndoshta është një kandidat për ta blerë.”

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Njësia elitë amerikane që do të vrasë Kim Jong-un?

Close