“Vëthi i munguar” i Alimanit, midis gruas dhe të dashurës
18/05/2017 - 12:29

Filmi “Vëthi i munguar” me metrazh të mesëm i Bujar Alimanit i realizuar pa buxhet, është një raport në teh midis dy grave që kanë dashur të njëjtin burrë. Ema Andra dhe Adele Gjoka shpërthejnë tensionin e një filmi jotipik për kinemanë shqiptare. Premiera u dha mbrëmë në Kinema Imperial.

Vdekja e papritur e një mashkulli dhe testamenti i tij vë përballë bashkëshorten dhe të dashurën. Një fabulë padomethënie për një krijim artistik. Mbi tehun e këtij rreziku ka vallëzuar filmi me metrazh të mesëm “Vëthi i munguar” i Bujar Alimanit duke realizuar një zhanër jotipik për kinemanë tonë.

Bujar Alimani: “Ka qenë një ide parësore e imja të provoja veten me një film ku ka dialog. Por kjo është një gjë që mund të rrëzojë, të zhgënjejë dhe gjithmonë kam dashur të mbyll personazhin në një vend veprimi. Më intrigon shumë ideja që dy personazhe që kanë konflikte të jashtëzakonshme dhe nuk mund të rrijnë kurrë bashkë të jenë të detyruar të jenë në një rrethanë të caktuar.”

I treguar në plane të ngushta dhe tepër të ngushta, me kamerën në lëvizje të Spiro Ninos, me montazhin e shpejtë të Sabir Kanaqit, Alimani përdor këtë anë formale për t’i shkuar në ekstrem marrëdhënies midis dy grave.

Adele Gjoka: “Është një film që i flet çdokujt që e sheh dhe me shpresë që i bëjnë edhe të ndjejnë pak më shumë. Dhe për mua ky është qëllimi final i artit, të provokojë ndjenjë.”

Ema Andrea: “Bujari është nga ata regjizorë që të lë hapësirë por në fund ti kupton që atë hapësirë ta ka krijuar po ai. Të ka orientuar aq mirë sa ti ke lirinë e krijmtarisë, lirinë e dërgimit përpara të aksionit në mënyrë të pavarur si gjithë regjizorët e mirë. E kupton në fund të kohës, në fund të ditës që kjo ka qenë e gjithë e tija.”

Është darka e një udhëtimi emocional shumëngjyrësh: zemërim, xhelozi, pasion, vdekje e pasionit, pjekuri, turbullim mendor, pamundësi për t’u mbrojtur dhe në fund, dorëzimi purifikues dhe pranues i dy grave. Ema Andrea dhe Adele Gjoka shpërthejnë tensionin që kanë krijuar si dy persona që nuk kanë arsye më t’i fshihen të vërtetës.

Bujar Alimani: “Unë bëra atë që ndjeja, atë që doja shumë, atë që dashurova shumë, atë periudhë. Të tjerët më ndoqën në këtë ëndërr, e bëmë të gjithë bashkë.  Por që në film të mirë nuk e bën asnjëherë sasia e lekëve. E bën një skenar i mirë, aktorë të mirë dhe mund ta bëjë edhe një regjizor i mirë.”

“Vëthi i munguar” është realizuar në hapësirën midis disa projekteve të Alimanit, por asnjëri prej tyre nuk mund ta thoshte atë që tregohet në këto 40 minuta. I xhiruar në dy ditë, pa buxhet, ky film është një mënyrë të bëri kinema që nuk e ka të lehtë të pranohet.

/oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Pamjet me dron të shpërthimit të bombës së madhe të Luftës së Dytë Botërore

Close