Çmimi europian i letërsisë. Erebara, një roman për imoralitetin e diktaturës
21/04/2017 - 12:18

Shkrimtari Rudi Erebara është fitues i Çmimit Europian të Letërsisë për vitin 2017 me romanin “Epika e yjeve të mëngjesit”.

Vepër e frymëzuar nga tabloja me të njëjtin titull e piktorit Edison Gjergo i dënuar për prirjet moderniste në art në vitin 1978, vit kur nisin ngjarjet në romanit.

Është fundi i miqësisë shqiptare-kineze, e shoqëruar me një valë të re edhe më të fortë survejimesh, arrestimesh, dënimesh e burgimesh në mesin e njerëzve të zakonshëm dhe të artistëve.

Erebara u shkon deri në fund përshkrimit të dy botëve, turmës dhe individit. Pas “Vezët e thëllëzave”, ky është romani i dytë i Erebarës ku trajtohet me realizëm të thellë shqetësimi i tij për imoralitetin e diktaturës dhe atë që vetë shqiptarët u bënë shqiptarëve.

Çmimi Europian i Letërsisë organizohet nga Komisioni Europian, me partnerë Federatën e Librarëve Europianë dhe Ndërkombëtarë, Këshillin e Shkrimtarëve Europianë dhe Federata e Botuesve Europianë. Çmim i vlefshëm për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Europën Krijuese.

Për herë të dytë, organizatore e çmimit në Shqipëri është Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila në vitin 2014 shpalli fitues Ben Blushin me romanin “Otello, Arapi i Vlorës”. Autorit fitues i krijohet mundësia të përkthehet në gjuhë të tjera.

Në Çmimin Europian të Letërsisë marrin pjesë gjithsej 36 shtete, të ndara në 3 grupe dhe që përzgjidhen një herë në 3 vjet.

Vendet e përzgjedhura për vitin 2017 janë: Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Greqia, Islanda, Letonia, Malta, Mali i Zi, Holanda, Serbia, Turqia dhe Britania e Madhe.

 /Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Basha mbledh me urgjencë aleatët në selinë e PD-së

Close