Moikom Zeqo jep alarmin për Gjirokastrën. JO ndërtimit të By Pass
19/04/2017 - 18:58

Në ditën ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, Moikom Zeqo, arkeolog i njohur, shkrimtar dhe nënkryetar i Forumit të Vlerave të Gjirokastrës ngre zërin, shpreh shqetësim për situatën në të cilën prej 26 vitesh gjendet Shqipëria dhe jep dhe alarmin për rrezikun që mund të ketë By Pass i Gjirokastrës.

E quan propagandë dhe spektakël atë që po ndodh ndërsa po denatyrohen monumente të kulturës si dhe monumente që kanë pasur një restaurim kanë qenë shëmbëlltyra skandaloze.

Thotë se në fushën e restaurimit deri tani është bërë propagandë ndërsa nënvizon se duhet ndërhyrje në mënyrë emergjente. Moikom Zeqo ishte i ftuar ne nje bisedë në studio  me gazetarin Klodi Karaj në Ora News 18 prill 2017. 

Lexoni çfarë deklaroi

(Shenim Nentitujt jane redaksionale)

Propagandë dhe spektakël

“Në raport me këtë trashëgimi puna jonë konservuese për ruajtjen e monumenteve ka anuar më tepër në pikëpamjet e një spektakli të guidës, propagandës, informacioneve virtuale, më tepër se nuk janë as shkencore. Sa i takon rezultateve të restaurimeve konkrete të monumenteve, është një fushë që lë shumë për të dëshiruar.

A është kjo një e metë e ministrive tona të Kulturës, të cilat unë i kam quajtur ministri “Hirushe”? Jemi shteti në Europë me përqindjen më të vogël të buxhetit shtetëror. Asnjë shtet në Europë nuk e ka buxhetin kaq të vogël sa e jona.

A kemi të bëjmë me paaftës të administratës? E vërteta është tek të gjitha detajet.
Shikoj që ka një patetizëm, ka një protagonizëm shpesh virtual për të thënë se po bëhet diçka e rëndëisshme për monumentet e kulturës, por mund të them se çështja e momunenteve të kulturës më tepër është propogandë dhe spektakël, sesa e realizimeve të mëdha. Nuk di ndonjë realizm të madh. Marr Gjirokastrën e Beratin që do të ishin detyrime kulturologjike për ne shqiptarët.

Asnjë restaurim substancial. Restaurime të dorës së dytë edhe mund të ketë pasur por jo të monumenteve të rëndësishme të këtyre qyteteve.

Alarmi për Gjirokastrën
Qyteti i Gjirokastrës nga tërmeti i vitit 2015 pati një kërcënim. Janë hapur dy çarje tektonike për kështjellën. Dihet se po ra kështjella e Gjirokastrës nuk ka më qytet Gjirokastra. Megjithëse ka dy vjet, ka emergjencë të studimeve shkencore për këtë pikë, jo vetëm që nuk çan kokën kush për këtë çështje por nuk e di sesi mendojnë se do të përshkallëzohet kjo çështje.

Restaurimet e tanishme shëmbëlltyra skandaloze

Monumente që kanë pasur një restaurim kanë qenë shëmbëlltyra skandaloze.
Restaurimi i një hamami të shekullit XV brenda kështjellës së Krujës ishte jashtë gjithë kritereve shkencore dhe ishte një skandal.

Restaurimi i pjesshëm i Urës së Mesit ka rezultuar i pasukseshëm.

Ose monumente, që kanë pasur emergjencë, si Kisha e Shirgjit. E cila ka gjasa që Buna të përparojë dhe ta zhdukë këtë monumet dhe ta përpijë. Janë bërë disa veprime paraprake për ta ndaluar gjoja rritjen e niveleve të ujrave por jo restaurim të monumenteve, megjithëse është një monument shumë i rëndësishëm.

Ose bëhet një restaurim gati dekorativ i një monumenti shumë të rëndësishëm siç është kisha e Labovës së Kryqit.

Duke parë si po bëhet restaurimi aty, them se duhet të bëhet më shkencor dhe më profresional. Por i japin rëndësi fasadës. Bëhet një fasadë që shpesh nuk është e lidhur substancialisht me strukturën e vet të monumentit për të dhënë idenë se është bërë diçka.

Nga pikëpamja profesionale, Instituti i Monumenteve dikur ka qenë i shtirë me atelie të restaurimit të monumenteve në pothuajse të gjitha qytetet kryesore që kishin vlera arkeologjike apo historike. Një strukturë e tillë nuk ekziston më
Së dytë: Profesionistët e restaurimit nuk ekzistojnë më dhe kuadri drejtues janë shumë larg të qenit profesionistë. Nuk janë autoritete. Ata që ishin autoritete ose nuk janë më kanë dalë në pension ose nuk i pyet askush.

Një autoritet i madh si profesor Emin Riza, që mund të quhet dhe specialisti më i madh në Shqipëri ndoshta dhe në rafsh rajonal për arkitekturën popullore, sidomos për Gjirokastrën, nuk e pyet askush kur bëhen ndërhyrje vënde pa vënd ose mendohet për projekte fantazmagorike mbi Gjirokastrën siç është projekti i ngritjes së një By Pass-i afër qendrës historike të Gjirokastrës, për të denatyruar edhe adresën memorialistike, ose historike të Gjirokastës, gjoja në një arsye krejt banale që turistët duhet të vijnë më afër.
Në Athinë, askush nuk mendon të ngrejë një urë të madhe betoni për të arritur deri në Akropol. Kjo do të denatyronte krjet monumentin.

Skandali më i madh Veliera
Skandali më i madh që është bërë, se isha dhe në Durrës, me gjithë kritikat që është bërë, idesë së Velierës, vura re me trishtim që vazhdonte betonimi përmes monumenteve. Ky është një krim jo vetëm kombëtar por dhe ndërkombëtar, pasi ka të bëjë dhe me kultura të tjera

Mirë këta politikanët tanë dihet që janë me dituri sipërfaqësore të dyshimta por nuk e di çfarë bëjnë ata që quhen specialistë.

Them me trishtim në këtë festë të përkujtimit të momunenteve nuk kemi të drejtë të jemi patetikë dhe mburravecë për gjëra që në mënyrë konceptuale nuk kemi arritur ti bëjmë.
Unë kam propozuar ngritjen e një komiteti të emergjecës pranë kryeministrisë që momunente më të rëndësishme të ketë përparësi.

Për Gjirokastrën duhet të ketë një monument emergjence.
Për shumë kisha që kanë nevojë për restaurim duhet të ketë fonde të përcaktura që duhet të paraprijnë atë që quhet rrënim i monumenteve.

Në Gjirokastër po rrënohen shumë shtëpi që quhen monumente të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dytë. I pashë vet me sytë e mi.
Një monument i rrënuar është shumë më i vështirë të ringrihet sesa të mbash gjallë të restauruar

Euforia e injorancës
Ka shumë probleme. Nuk e kuptoj ku është kjo eufori. Natyrisht është një eufori e injorancës.

Një lloj gënjeshtre publike për të thënë që kemi bërë namin me monumentet e kulturës.

Me një restaurim të pjesshëm nuk mund të sqarojë dhe të kapim në substancë problemin e madh të monumenteve të Shqipërisë.

Pasojat? Kështjella e Likursit është denatyruar

Pasojat do të jenë shumë të mëdha për gjeneratat që do të vijnë. Kjo është një situatë që do të krijojë vështirësi edhe në turizëm kulturor. Marr si shembull vendet e rajonit.

Në Maqedoni: Kështjella e Ohrit dhe Shkupit janë restauruar. Maqedonia nuk ka fonde më të mëdha se ne që ka bërë këto restaurime. Janë restaurime shkencore.  Edhe në Mali të Zi nderimi dhe respekti është më i madh. Vetëm në Shqipëri është mospërfillje e pashembullt.

Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që brenda një monumenti të klasit të parë, si Kështjella e Lezhës, privati të ketë të drejtë të ndërtojë një qëndër dëfrimi. Shikoni shembullin më të shëmtuar që ka ndodhur dhe e kemi para syve. Kështjella e Petrelës, të tërë specialistët, shkencëtarët e kanë të tmerrshme ngritjen e asaj kulle prej dërrase, duke plotësuar gjoja profilin dhe pamjen e asaj kështjelle të vogël, dhe askush nuk thotë asgjë.

Kështjella e Likursit është denatyruar nga funksioni i vet. Problemi është që nuk ka askush në Shqipëri t’i thotë në mënyrë serioze një konceptimi tjetër shkencor modern të kulturës. Duke mos çarë kokën dhe duke bërë vetëm propagandën nuk besoj se arrihet ndonjë gjë e madhe.

Aq më tepër në fushën e restaurimit të monumenteve duhen investime shumë të mëdha. Këto investime sot për sot nuk ekzistojnë në qeveri. Përkundrazi një qeveri vizionare ose njerëz vizionarë do të duhet në mënyrë emergjente të bëjnë planizime për restaurime që do të kenë fonde të caktuara për të bërë të mundur që të kemi monumente të vizitueshme dhe të ngrejmë cilësisht atë që quhet turizmi kulturor.

Njerëz dilentatë ngrejnë qendra muzeore, si Bunk Art
Shoqatat përgjithësisht kanë reaguar në funksione të stimuluara thjesht nga politika. Nuk shoh në këto shoqata ndonjë reagim jashtë politikës, përvec një reagim që ka qenë më i suksesshëm, ai i ruajtjes së lumit Vjosë. Ai ka qenë një reagim më i saktë dhe më i drejtë. Në përgjithësi kur flitet për monumente ngatërrohet shumë politika. Këtë shqetësimin tim e them mbi partitë dhe politikën. Unë nuk mund të mendoj të krijoj qëndra muzeore jashtë kritereve shkencore muzeore.

Si njerëz dilentantë, që nuk kanë fare profesionalizëm mund të ngrejnë qëndra muzeore. Bëjnë ca fonde dhe ngrihet dhe quhet ta zëmë: Bunk Art. Nuk ka muzeumolog në këtë histori. Ka kritere shkencore kur ngrihet një muzeum. Bëhen natyrisht për arsye politike.|

Kështjella e Durrësit ka tre kulla të mëdha bizantine. Secila nga këto mund të kthehen në muze. Psh muzeu i qeramikës që do të ishte një muze i nivelit botëror, sepse Durrësi është qyteti më i vjetër i Shqipërisë. Të kishte konceptime për muze të ri të Shqipërisë.

Nuk e kuptoj si ka mundësi që që nga viti 1966 që u zbulua amfiteatri arkeologjik i Durrësit të mos kemi një përfundim të zbulimit të plotë të amfiteatrit, diçka është bërë në këtë pikë por jemi tmerrësisht të vonuar. Aq më tepër që kërkojnë restaurime adekuate nga specialistë.  Në asnjë vend të Ballkanit nuk është zbuluar një lagje e tillë, si lagjja nën lulishten “Një maj” në Durrës dhe në mënyrën më të pakuptueshme betonizohet nga pallatet të cilat nuk kanë asnjë vlerë.

Ne kemi ndërtuar shumë beton por nuk kemi asnjë vepër të shquar arkitektonike. Të themi të paktën, kjo vepër është e bukur. Janë më tepër imitime të ngathta betoni, pompozitet. Nganjëherë shpreh dhe shpirtin e varfër egoistik për tu dukur të shqitarëve, atë pjesë të keqe sesa të shpirtit vizionar, lirik të ndjeshëm të popullit tonë.

Alarmi për By Passin: Mund të jetë tragjike për Gjirokastrën
Forum i Vlerave të Gjirokastrës, ku unë jam nënkryetar, por dhe një grup akademikësh kemi reaguar që i ashtuquajturi By Pass do denatyronte por dhe do të krijonte probleme me strukturën gjeologjike të dobët që ka qyteti i Gjirokastrës. Kështjella dhe shtëpitë e Gjirokatrës nuk është strukturë shumë e fortë dhe problemet sizmike mund të jenë shumë tragjike në Gjirokastër. Të mos bëhet. Fare mirë ajo strukturë mund të bëhet në pjesën e mbrapme të Gjirokastrës, ku ka qenë në fillim fare dhe hyrja në Gjirokastër.

Ministria ka pasur opsionet e veta, por ne nuk heqim dorë, por kjo nuk është pjesë e debatit politik por e debatit shkencor. Debatin shkencor duhet ta bëjmë më të rëndësishëm se atë politik. Jam pak skeptik në faktin që përgjithësisht njerëzit që kanë vendimmarrjen, binden kollaj, nuk besoj se binden kollaj, sepse besojnë se këta specialistët janë njerëz kot. Nuk janë njerëz të vendimarrjes, vendimarrjen e kemi ne. Ndërkohë problemi i Gjirokastrës është esencialisht shkencor. Ka të bëjë dhe me të ardhmen ose me mbijetesën e vetë Gjirokastrës.

Të tërë ministritë e Kulturës, qoftish të majta, të djathta nuk e kanë vlerësuar siç duhet monumentet.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
“Fetucini me fileto pule dhe kerpudha”

Close