“Filmi shqiptar pa kinema”, debati në “Arkapia” me Ilir Butkën dhe Dritan Huqin
15/05/2017 - 14:00

Ky film i fundit i Gjergj Xhuvanit “Engjëjt janë larg” është një kronikë e vogël seksi gjatë luftës së Kosovës.

Skenari i shkuar nga vetë Xhuvani është një melodramë triviale e flakës që bashkon për një natë një prift dhe një prostitutë në një jetimore katolike, e vendosur në një provincë myslimane.

Janë disa klishe në veprim për të shpërfaqur një gjoja tabu seksuale, e cila sepse të vjen si jehonë e largët e reklamave të Benetonit të para 20 vjetëve.

Lufta e Kosovës përdoret si argument për të hedhur në shtrat një marrëdhënie të fshehtë, për të nxjerrë jashtë funksionit predikimin e urdhëresave të shenjta. Dhe padyshim, për të treguar përsëri e përsëri në kinemanë e andej dhe këtej kufirit, se serbi mbetet serb edhe kur një bacë Kosove i jep duhan të dredhur.

Çdo gjë e parashikuar në veprën e Xhuvanit, e zbrazur nga ai realizëm apo grotesk i rrethanave ekstreme që kanë pasur filmat e tij më të mirë.

Nga 27 prilli deri më 7 maj, i shfaqur në Kinema Millenium në Tiranë, filmi ka tërhequr jo më shumë se 20 spektatorë në ditë.

Të shtyrë nga ky rezultat i cilësisë së filmit dhe i shikueshmërisë së tij, kërkuam më shumë informacion pranë kinemave Millenium dhe Imperial për numrin e spektatorëve të filmit shqiptar gjatë viteve të fundit. Të dhënat për shfaqjet në Tiranë janë dëshpëruese. Edhe në qytete të tjera zor të qarkullojë ky lloj filmi. Sepse nuk ekziston ndonjë marrëdhënie e shtetit me sipërmarrësit privatë të rrjetit të kinemave.

Shtohen sallat e kinemave në qendra tregtare, shtohen filmat shpëlarës, shtohet indiferenca e njerëzve dhe qytetet rrethohen nga qindra mijë indiferentë.

Një pjesë e mirë e këtyre projekteve filmike, nuk i kanë kapërcyer kufijtë e Shqipërisë.
Në politikën kulturore të televizioneve asgjë nuk ka ndryshuar. Televizioni Publik Shqiptar financon pa ndonjë kriter filma shqiptarë, por nuk ndjek ndonjë praktikë për njohjen e kësaj kulture apo për mendimin kritik mbi të.

Nëse Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit me debatin e tij të mbrapshtë mbi trashëgiminë filmike të periudhës së komunizmit, ia ka dalë t’i mbajë lart tonet, kjo tregon se kinemaja e sotme shqiptare nuk jeton akoma në të tashmen.

Të dielën ora 21:00 në emisionin “Arkapia” me gazetaren Elsa Demo debatuan Ilir Butka dhe Dritan Huqi.                                 

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Tremujori 2017 mbledh 100.8 mld lekë, dominon TVSH dhe taksat

Close