Botërori ka humbur edhe një tjetër yll. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese të Gjermanisë, Marko Reus i cili u dëmtua mbrëmë ndaj Armenisë. 25 vjeçari i Borussia Dortmund ka dëmtuar kaviljen e tij të majtë, dëmtim që e la jashtë kupës së botës. Në vendin e tij trajneri Joakim Low ka thirrur kosovarin Shkodran Mustafi, ky i fundit do të ketë mundësinë e artë të përfaqësojë në botëror një kombëtare mjaft prestigjioze.

Marco Reus është vetëm njëri prej shumë futbollistëve në listën e gjatë të yjeve që nuk do të jenë në Kupën e Botës. Në mesin e tyre janë edhe Falcao (Kolumbia ), Ribery (Francë), Rossi dhe Montolivo (Itali), Strootman dhe Van der Vaart (Holandë), Shirokov (Rusi). Walcott (Angli).

Ka edhe shumë lojtarë të tjerë që rrezikojnë dhe po përpiqen me të gjitha mënyrat për tu rikthyer në fushë. Ndër këta futbollistë mund të përmendim topin e artë Cristiano Ronaldo (Portugali), Suarez (Uruguaj), Palacio dhe Demichelis (Argjentina), Sanchez dhe Vidal (Kili), Van Persie (Holandë), Oxlade-Chamberlain (Angli), dhe shumë të tjerë. Vetëm Lionel Messi dhe Neymar për momentin duken dy yjet e vetëm që nuk kanë asnjë dëmtim.

Në 30 vitet e fundit pjesëmarrjet në Kupën e Botës janë kthyer në makth për shumë futbollistë. Diferencat në ritmin e lojës, pushimeve të pakta dhe klimës ku luhet ka sjell shumë ndryshime. Numri i madh i ndeshjeve në kampionat dhe në kompetionet europiane ka ndikuar negativisht në formën e shumë lojtarëve.

/Ora News.tv/