Në diskutimin publik për historinë e komunizmit shqiptar akoma nuk ka një konsensus për gjuhën dhe interpretimet që u bëhen shifrave dhe burimeve historike.

Kampi i internimit në Tepelenë që ka ardhur në vëmendjen e publikut vetëm në këto 5 vjet, ka qenë së fundi objekt polemikash midis historianëve zyrtarë dhe përfaqësuesve të institucioneve për studimin e krimeve të komunizmit që janë angazhuar në kërkimet e arkivore, por më së shumti në mbledhjen e burimeve gojore nga viktimat politike dhe ideologjike të epokës.

Ndoshta për këtë arsye, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, e ka ndjerë të nevojshme të tërheqë vëmendjen për projektin muzeal të kampit të Tepelenës. Autoriteti ka informuar dje për procesin ku ndodhet projekti për Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, që mendohet të jetë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri.

Në gusht të vitit të kaluar, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve është hedhur hapi i parë: janë mbjellë 300 qiparisë që do të jenë oazi memorial për 300 fëmijët që humbën jetën në këtë kamp midis viteve 1945-1954, për shkak të sëmundjeve ngjitëse dhe urisë. Sipas burimeve të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, të dënuar në këtë kamp kanë qenë 3380 persona, nga të cilët: 973 burra, kryesisht të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë.

Një nga dëshmitarët e këtij kampi, piktori Lekë Pervizi, 22-vjeçar në atë epokë ka krijuar me dhjetra vizatime ku skicohet me saktësi strukura e kampit me kazermat e shndërruara në fjetore, të cilat në të vërtetë shërbenin si vend banimi në një hapësirë të papërfillshme për nevojat e trupit njerëzor dhe të paimagjinueshme për aktivitet familjar e shoqëror.

Varrezat janë objekti i lëvizshëm i kampit. Në skicat e Pervizit ato zhvendosen sa brenda jashtë kampit, në buzë të lumit derisa zhduken përfundimisht. Familjarët e 500 të vdekurve në kampin e Tepelenës shpresojnë në gjetjen e eshtrave të të dashurve të tyre.

Këto skica janë një burim me rëndësi për arkitektin Gjon Radovani i cili do duhet ta konceptojë si një kompleks muzeal identitetin e zhdukur të kampit. Edhe pse këto janë të vetmet rrënoja që kanë mbetur nga kampet e kësaj natyre e që kanë ekzistuar në periudhën e hershme të pasluftës në Berat, Krujë, Valias, Cërrik, Shijak, Porto–Palermo, Kuçovë, Kuç e të tjerë, nga të cilat nuk ka mbetur asgjë.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit njofton se në muajt në vazhdim do të jetë gati “një kuadër kërkimor mbi konceptualizimin, historinë, dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist, që do të gërshetojë një qasje historiko-juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar”.

Në këtë mënyrë Autoriteti duket se tërheq vëmendjen edhe ndaj gjuhës që përdoret në media ku dominojnë përgjithësimet, shprehjet deterministe deri dhe krahasimet me Aushvicin.

Nëse nga rrënojat e kampit të Tepelenës do të krijohet një model për të treguar historinë, a do të vendosë ai një rend në mendjet që prodhojnë një konflikt të vazhdueshëm me të shkuarën?

/Ora News.tv/