Shpërthen bombola e gazit në zonën e Bllokut

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e mesditës së sotme në bodrumin e një argjendarie, ku ka shpërthyer një bombul gazi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pranë rrugës ‘Vaso Pasha’. "Shpërthimi ka ndodhur në bodrumin e argjendarisë. Bodrumi përdorej për të përpunuar floririn, dhe duke qenë në kushte të papershtatshme bombola ka shpërthyer në bodrum. Dyshohet se janë edhe dy bombola të tjera në bodrumin e argjendarisë"raporton gazetarja Keti Banushi. Policia thotë se "si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtetasit S. P dhe A. P, E. N dhe D.S të cilët u dërguan në Spital për ndihmë mjekësore". Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Shpërthimi ka qenë i fortë, duke dëmtuar edhe bizneset përreth. Forca të policisë dhe shërbimi zjarrfikës ndodhen në vendngjarje. Po punohet për shuarjen e zjarrit në lokal pas shpërthimit. Kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Arjan Ahmetaj, për RTV Ora tha se zjarri është nën kontroll, ndërsa për shkaqet tha se do të dalin në konkluzione pas një hetimi të plotë në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë./ FOTO LSA