Partizani "dhuratë" tifozëve, mposht Flamurtarin

Partizani është fituesi i supersfidës së javës së katërt në Kategorinë Superiore. "Demat" mposhtën Flamurtarin 2-0, duke treguar edhe njëherë formën pozitive që po kalon. Golat që vlejnë tre pikë u shënuan nga Mensah në minutën e 21-të dhe Bruno Telushi në limitet e kohës së rregullt. Afrikani shfrytëzoi në maksimum një asist të Bardhit dhe me parabël mposhti Koliçin. Spektakolar rrjeta e Telushit, me vlonjatit që vulosi gjithçka me një 'perlë" nga goditja e dënimit. Në "Selman Stërmasi" të besuarit e Skënder Gegës dominuan totalisht ndaj kuqezinjve, që të tronditur nga humbja e fundit përballë Skënderbeut nuk dolën për asnjë moment në lojën e tyre më të mirë. Synimet e "të kuqve" u panë që në nisjen e takimit, me Asanin që ndezi sfidën që në minutën e tretë, por sfera preku vetëm rrjetën e jashtme. Pak minuta më vonë ishte Belica që tenton rrjetën, ndërsa Bardhi u ndal në çastet e fundit nga mbrojtja mike, diçka që nuk ndodhi pas minuta më pas, pasi në një pasim të saktë në zonë për Mensah, ganezi tundi rrjetën me një parabël sipër trupit të Kolicit. Vlonjatët tentuan të reagojnë por Torasa dhe as Polozhani nuk gjetën kuadratin e portës së Hoxhës. Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e kryeqytetasve, ndërkohë që në limitet e kohës së rregullt shënoi golin e qetësisë. Ishte një "ish" i kësaj përballjeje. Bruno Telushi i cili ka kaluar gjithë rininë e tij në Vlorë, shndërroi në gol një goditje dënimi, duke i dhënë kështu një mbyllje spektakolare kësaj supersfide. Me këtë fitore Partizani ngjitet në kuotë të njëjtë pikësh me Skënderbeun, 10, me korçarët që kanë për të luajtur ndeshjen e kësaj javë përballë Tiranës. Ndërkohë Flamurtari pëson humbjen e dytë radhazi, duke treguar edhe njëherë brishtësinë përballë pretendentëve për titull. Një disfatë që lëkund jo pak pozitat e teknikut Ilir Daja, që ka ardhur në Vlorë për të sjellë titullin e munguar prej vitesh. Kjo është edhe një "dhuratë" për tifozat e Partizanit, pasi kthehen në shkallët e stadiumit pas penalizimit me 3 ndeshje nga Komisioni i Disiplines.