“Paqe” mes Tiranës dhe Teutës, skuadrat ndajnë nga 1 pikë

Tirana dhe Teuta zhvilluan mes tyre në “Selman Stërmasi” ndeshjen e parë të javës së 20-të të Kategorisë Superiore. Ky takim u mbyll në barazim 1-1, ku të dy golat u shënuan në fraksionin e parë të lojës. Miqtë nga Durrësi kaluan të parët në avantazh në minutën e 2-të me anë të Prognit, i cili shndërroi në gol një asist të Frashërit nga e djathta. Pas këtij momenti, kryeqytetasit morën frenat e lojës në dorë, teksa në minutën 38-të arritën të vendosnin baraspeshën me anë të anglezit Ngo, i cili pas një kombinimi të bukur me Halilin, mposhti portierin Hidi. Pavarësisht përpjekjeve në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar. Barazimi i tretë radhazi për skuadrën e Bledi Shkëmbit që duket se po humbet terren me ekipet kryesuese. Ndërkohë Tirana me pikën e marrë ngjitet në kuotën e 21 pikëve, 4 më shumë se Luftëtari i vendit të 8-të.