Kukësi nis stërvitjen në Slloveni

Prej dy ditësh KF Kukësi ndodhet në Slloveni për të vijuar fazën përgatitore në prag të pjesëmarrjes së dytë në Champions League. Nënkampionët, janë akomoduar Soboda, në kufi me Austrinë në një vend malor me klimë të freskët.Grupi i futbollistëve ka qënë i plotë në dispozicion të trajnerit Peter Pacult që ka vendosur ta hedhë skuadrën dy herë në ditë në fushën e stërvitjes. Por, risia tek verilindorët qëndron tek fanellat e reja që po përdoren enkas për stërvitjen. Uniforma me ngjyrë bojë qielli, ndërsa për stafin teknik është zgjedhur uniformë e kuqe. Ndërkohë me 19 qershor është në program miqësorja e parë për verilindorët, të cilët ende nuk kanë mësuar emrin e kundërshtarit që do të jetë përballë. Ajo që është e konfirmuar është se qëndrimi në Slloveni do të shoqërohet me dy miqësore luksi për Kukësin, me Mariborin, skuadrën e njohur sllovene, që ashtu si Kukësi e mbylli në vendin e dytë sezonin. Ndërkohë miqësorja tjetër do të jetë përballë Kabalës, skuadrës azere që ka firmosur së fundmi me mesfushorin Sabien Lilaj dhe që ka në përbërje ish-sulmuesin e verlindorëve, Rauf Alijev. Kjo fazë cilësohet si më e rëndësishmja për verilindorët që është në pritje të mësimit të kundërshtarit për në Champions League.Këto dy teste do t’i shërbejnë trajnerit Peter Pacult për të konsoliduar grupin, që këtë edicion ka ambicie të mëdha në Europë, pasi shpeshherë është deklaruar se kërkon të jetë në fazën e grupeve të Europa League .