Festë e kuqe në derbin e kryeqytetit

Një shkodran, dy gola, tre pikë për një titull. Partizani është fitues i edicionit të 80-të të Kategorisë Superiore. Të kuqtë rikthehet në majën e futbollit shqiptar pas 26 vitesh dhe këtë e bën pikërisht në derbin kundër Tiranës. Skuadra kryeqytetase ka mbyllur një sezon fantastik, duke fituar titullin 3 javë përpara fundit. Heroi i të kuqve ishte padyshim shkodrani, Eraldo Çinari, që realizoi dopietën fituese ndaj bardhebluve. Kur po kronometrohej minuta e 32-të, Çinari lëshoi një silurë të vërtetë me të majtën, duke shtangur bardheblutë dhe shpërthyer në festë të kuqtë. Gjithsesi, reagimi i "miqve" nuk vonoi, me Tiranën që vendosi baraspeshën pas 8 minutash. Ishte Bedri Greca që duke përfituar nga një pakujdesi e mbrojtjes mori pasimin e N'Goo dhe i vetëm përballë Hoxhës nuk gaboi. Me rezultatin 1-1, dy skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjeve, ndërkohë që me të rifilluar e dyta Hasani mori vendin e Sentamu. Një lëvizje që nuk rezultoi aspak e suksesshme për skuadrën e drejtuar nga Ardian Mema, që u zu në befasi nga furia e kuqe. Ishte sërish Eraldo Çinari ai që realizoi dhe festa e kuqe është e ligjshme. 22 vjeçari përfitoi nga dalja para e bardhebluve dhe pasi zuri në kundrakohë Abibin realizoi për 2-1. Kaq mjaftoi edhe Partizani është në festë. "Demat" ngjyrosin me bojë të kuqe "qiellin" e kryeqytetit, teksa koleksionojnë titullin e 16-të në histori. Ndërkohë, kjo disfatë mund t'i kushtojë shtrenjtë Tiranës, që sheh në pasqyra Kastriotin. Krutanët mposhtën pastër 2-0 Flamurtarin dhe e dërgojnë në minus 2 pikë distancën me rivalin e javës së ardhshme, pikërisht Tiranën./ FOTO LSA