Dopieta e parë me Juven, festa e çmendur nga Ronaldo

Cristiano Ronaldo i hesht të gjithë. Ylli portugez ka arritur të zhbllokohet me fanellën e Juventusit pas 320 minutash (3 ndeshje e 50 minuta) dhe atë e bën pikërisht ndaj Sassuolës. Por Ronaldo kujdeset edhe që të hyjë në histori, pasi përveçse shënon me skuadrën e tij të katërt në karrierë, kujdeset të shënojë edhe një dopietë me ekipin e ri. Fillimisht 5 herë fituesin e Topit të Artë shënoi në minutën e 50-të, ndërsa çerekore më pas dyfishoi shifrat dhe kompletoi dopietën e parë me bardhezinjtë. Në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të Seria A, ish-ylli i Realit të Madridit përfitoi nga një pasiguri të portierit dhe mbrojtësit mik dhe me portën e boshatisur e kishte të lehta ta dërgonte sferën në fundin e rrjetës. Ndërkohë në golin e dytë Ronaldo tregoi dhe njëherë vlerat e tij, ku pas një kundërsulmi fenomenal të kampionëve në fuqi lëshoi një diagonale drejt portës kundershtare, duke lënë të shtangur miqtë dhe duke festuar me gjestin e tij karakteristik, "Calma". Dopieta e Ronaldos i dha fitoren e katërt Juventusit, në po kaq javë të Seria A, me kampionët në fuqi të Italisë që mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 2-1 Sassuolën në "Allianz Stadium".