"Ju flet Moska"

Nga e hëna në të premten ora 19:45

Një emision nga Kastriot Myftaraj që transmetohet nga e hëna në të premten ora 19:45 minuta dhe që zgjat dhjetë minuta.
Kohëzgjatja e emisionit vjen nga respekti për kohën e teleshikuesve dhe nga dëshira e mirë për të edukuar mënyrën e të menduarit të tyre. 10 minuta janë të mjaftueshme për të shprehur thelbin e një çështjeje, sado e ndërlikuar qoftë, në kufijtë e mendimit të publikut të gjerë. Kjo nuk do të thotë se trajtimi do të bëhet me cektësi; njerëz me nivel të ndryshëm intelektual do të gjejnë në emision nivele të ndryshme thellësie analitike.
Titulli, jo rrallë i keqkuptuar, është përzgjedhur për të shprehur qëllimin e emisionit. 
Govorit Moskva! (“Ju flet Moska”), fjala hapëse e Radio Moskës, u bë në shekullin XX simbol i propagandës së rreme, i gënjeshtrës politike.
Qëllimi i emisionit tim është pikërisht t’ u zbulojë gënjeshtrat me të cilat iu ushqen politika, media në shërbim të saj, si dhe gënjeshtrat e trashëguara historike.
Emisioni trajton në mënyrë analitike një çështje të rëndësishme të ditës, ose jo të ditës, por të tillë që ka interes publik dhe kombëtar gjithsesi.
Tematika e emisionit është e pakufizuar. Në emision do të gjejë hapësirë problematika e çdo lloji që iu interesojnë shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë por edhe në hapësirën kombëtare shqiptare (Kosova, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës, Mali i Zi Juglindor), si dhe në diasporë. Çështja Çame do të jetë gjithashtu në fokus. 
Gjithashtu do të trajtohen çështje të politikës ndërkombëtare të cilat prekin drejtpërdrejt ose tërthorazi shqiptarët, ose që janë me interes për ta.
Emisioni i pare u transmetua me 28 shtator 2017.
Emisionet mund ti gjeni në Youtube.
Mund të më ndiqni edhe në Facebook.