Vendimi - Qeveria çliron fondin 22.4 mln euro për blerjen e energjisë elektrike
06/07/2017 - 10:40 Nga: Pranvera Bozhiqi

KESH prej 5 korrikut i ka duart e lira të blejë energji nga importi me fondin që Banka Botërore i ka dhënë për kohët e krizave prej 22.4 mln euro. Vendimi i qeverisë për çlirimin e këtij fondi ishte kthyer në një mollë sherri mes institucioneve, ndërsa tashmë ai autorizon KESH të blejë energji në rakordim me OSHEE për muajin gusht i cili parashikohet të jetë i thatë sikurse korriku. OSHEE po ashtu sqaron se Tirana ka probleme me furnizimin me energji dhe ndërprerje të shpeshta prej punimeve urbane të filluar në të gjithë kryeqytetin.

Çlirohet fondi prej 22.4 milion euro për blerjen e energjisë i dhënë nga Banka Botërore për emergjenca në kohë krize. Pas debatesh se ky fond u bllokua prej ministrave teknikë të cilët nuk kishin firmosur vendimin e Këshillit të Ministrave, prej 5 korrikut tashmë KESH i ka duart e lira të përdorë këtë fond, pas miratimit të VKM-së përkatëse nga qeveria dhe publikimit të saj në Fletoren Zyrtare.

Vendimi autorizon Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare të përmbushë detyrimin për shërbim publik ndaj furnizuesit të shërbimit universal në kushtet e një viti të pafavorshëm hidrik. Vendimi përcakton se blerja e energjisë do të bëhet në zbatim të marrëveshjes së huas mes qeverisë shqiptare dhe BERZH në varësi të nevojave dhe për aq sa lejon vlera e fondit të akorduar nga kjo marrëveshje.  

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka edhe një shtojcë ku thotë se në raste përjashtimore dhe situata të pafavorshme hidrike Këshilli i Ministrave mund të vendosë që sasia e nevojshme e energjisë për përmbushjen e kërkesave të klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal i furnizimit, të sigurohet në tregun e parregulluar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga shteti. Ndërsa përgjegjësinë për të gjithë këtë situatë e mban Ministria e Energjisë dhe Industrisë si dhe KESH sh.a..

Ndërkohë kryeqyteti prej disa ditësh po përballet me ndërprerje të njëpasnjëshme të energjisë elektrike për të cilat drejtori i OSHEE për Tiranën, Klevis Jahaj thotë:

Klevis Jahaj: “Kemi pasur disa ndërprerje të energjisë elektrike në rajonin e Tiranës që kryesisht kanë ardhur për shkak të dëmtimeve në palët e treta në kabujt e furnizmit me energji. Janë rreth 9 të tilla gjatë kësaj jave. Jo vetëm ujësjellësi po edhe firmat e tjera duhet të pajisen me azhornimin e rrjetit elektrik, dhe të marrin kontakt me OSHEE që ky grup i caktuar nga ne në formën e një task force të jetë prezent për të shmangur situata që janë të pakëndshme për qytetarët”

Parashikimet për muajin gusht janë të njëjtat me muajin korrik ku lind nevojë blerja e energjisë nga importi për të përballuar nevojat në vend. KESH do duhet të rakordohet me OSHEE për blerjen e energjisë, pasi vetë OSHEE ka prokuruar dy herë tendera 22 mln euro, për energjinë në qershor dhe korrik.

Drejtori i OSHEE, Ardian Çela tha dy ditë më parë në emisionin Ekopolitike se nuk ka shans që vendi të mbetet pa drita, duke paralajmëruar edhe kalimin e ketij vendimi në Këshillin e Ministrave. 

 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
City hall’s investments, Mayor inspected work for construction of 23rd playground

Close