Rriten të ardhurat - Tremujori 2017 mbledh 100.8 mld lekë, dominon TVSH dhe taksat
13/05/2017 - 18:15 Nga: Pranvera Bozhiqi

Rreth 100.8 miliard lekë janë të ardhurat për buxhetin e shtetit në tremujorin e parë të vitit 2017. Mbledhja e taksave kombëtare, TVSH, sigurime sociale por edhe pushteti lokal rezultojnë të jenë kontribuesit kryesorë në rritjen e të ardhurave. Me tendencë rritjeje vijojnë të ecin edhe shpenzimet buxhetore të cilat aktualisht janë 91.9 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë ripërsërit rekomandimin e saj për qeverinë për një rishpërndarje më të barabartë të shpenzimeve buxhetore.

Banka e Shqipërisë raporton një rritje me 4.3% të të ardhurave tatimore në tremujorin e parë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Në total, për këtë periudhë, në buxhet janë arkëtuar 100.8 miliardë lekë. Pushteti lokal, TVSH-ja, sigurimet sociale dhe taksat kombëtare ishin zërat kryesorë tatimore që ndikuan në rritjen e të ardhurave.

Por në kah të kundër kanë ecur të ardhurat jo tatimore, si donacionet apo ndihmat, por edhe grantet të cilat patën një ecuri negative me rreth 2.3 pikë përqindje.

Balanca buxhetore rezultoi pozitive me rreth 8.9 mld lekë. Pavarësisht këtyre vlerave pozitie, huamarrja e qeverisë vijon të rritet si në tregun e brendshëm në nivelin 11.2 mld lekë edhe në atë të huaj në 8.7 mld lekë, çka reflektohet si një nivel i lartë likuiditeti për qeverinë.  

Sipas Bankës së Shqipërisë, dinamika e disa zërave specifikë në rritjen e të ardhurave lexohen si sinjale pozitive për ecurinë e konsumit dhe kushte të përmirësuara në tregun e punës.

Megjithatë banka parashikon ndryshime në menaxhimin e likuiditeteve prej bizneseve pas rritjes së pagës minimale.

Për shkak të rritjes së kostos pritet të kemi ose shtrenjtim të çmimeve të produkteve apo shërbimeve, ose një pranim të fitimeve më të ulëta prej kompanive.

Në këto muaj të parë të 2017 shpenzimet buxhetore kanë vijuar një tendencë rritëse e cila udhëhiqet nga pushteti lokal.  

Aktualisht shpenzimet buxhetore rezultojnë në 91.9 mld lekë, 10.3% më i lartë se një vit më parë.

Zëra të tjerë ndikues në rritjen e shpenzimeve ishin sigurimet sociale dhe ato për kapital.

Ndërsa janë ulur shpenzimet për interesat e borxhit. Banka e Shqipërisë i rekomandon qeverisë një shpërndarje më të barabartë të shpenzimeve buxhetore.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close