Tatimet: Rritet numri i shqiptarëve që deklarojnë burimin e të ardhurave
15/05/2017 - 16:54 Nga: Pranvera Bozhiqi

 Rritet numri i qytetarëve shqiptarë që deklarojnë burimin e të ardhurave në një vit. Në mbyllje të proçesit rezulton se për vitin 2016 janë bërë 7475 deklarime nga 6340 që ishte totali për 2015-ën.  Ligji sanksionon detyrimin për të gjithë ata persona që kanë të ardhura mbi 2 milion lekë në vit.

Rritje me pothuaj 18 % më shumë se një vit më parë është shënuar në mbyllje të proçesit të vetëdeklarimit të të ardhurave personale mbi 2 milion lekë.

Të dhënat bëhen me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në zbatim të ligjit për tatimin mbi të ardhurat të gjithë qytetarët të cilat në vitin që lamë pas realizuan të ardhura mbi 2 milion lekë, kanë detyrimin të deklarojnë të gjitha burimet e shumave të përfituara të të ardhurave vjetore.

Afati i fundit ishte 2 maji dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kanë mbërritur 7475 deklarime me këto të ardhura.  

Kujtojmë që vitin e 2015, bënë deklarimet e tyre 6340 qytetarë. Në formularë qytetarët deklarojnë të ardhurat bruto, shpërblimet apo fitimet nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit, të ardhurat bruto nga dividenti, të ardhurat nga qiraja, fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, të ardhura nga interesa bankare, fitime kapitali neto të krijuar nga investime në tituj apo pasuri, fitime nga llotari apo lojëra fati.

Ligji përjashton zyrtarët publikë të cilët kanë detyrim deklarimin e pasurisë në ILDKPI. Por personat e përfshirë në këtë proçes kanë mundësinë të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme.

Këtu përfshihen kontributet vullnetare  në fondin e pensionit dhe ato shëndetësore. Zbritje në shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim si për individin edhe për fëmijët apo dhe për mjekim.

 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close