Panairi i punës - Studentët ankohen: S’ka politika punësimi, kërkohen mbi 3 vite eksperiencë
30/03/2017 - 15:41 Nga: Pranvera Bozhiqi

Të rinjtë janë më të interesuarit për vendet e punës që ofrohen nga 80 kompanitë në Panairin e Punës. Ndërsa shpresojnë se do të arrijnë të fitojnë një vend pune, ata po aplikojnë në disa pozicione njëkohësisht. Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, u ka bërë thirrje të interesuarve aplikojnë. Po ashtu për tranparencë më të plotë për aktorët në tregun e punës është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes INSTAT dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Shpresa vdes gjithmonë e fundit. Në këtë pozitë ndodhen të rinjtë punëkërkues, të cilët po bëhen pjesë e aplikimeve në Panairin e Punës.

Një, dy apo tre formularë për vende të ndryshme pune janë plotësuar prej tyre.

“Momentalisht jam pa punë, jam studente në Mastër Profesional, por duke e parë dhe si Panair Pune ndaj edhe u drejtova. Momentalisht jemi në stadin që nuk na intereson shumë pjesa e pagës”.

“Po më thonë që tek aeroporti ka punë, dua që të punësohem dhe më pëlqen edhe si punë.Më parë kam punuar si mësuese”.

Për të tjerë të rinj, ky Panair nuk është i pari ku kanë aplikuar për një vend pune, por ende nuk e kanë një të tillë.

“Kam qenë edhe tek Panairi para këtij dhe atëherë lashë shumë CV dhe akoma jam në kërkim të një pune. Kam tentuar në të gjitha format, kam qenë tek zyra e punës, në kompani private.Ajo që më bën përshtypje është se nuk i japin përparësi, nuk ka politika që tu japin përparësi studentëve që sapo mbarojnë shkollën. Çdo vend pune që ofrohet kërkon minimalisht tre vite pune eksperiencë”.

Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, u bëri apel të gjithë të interesuarve të aplikojnë për 5 mijë vendet e punës që ofrohen nga 80 kompanitë.

Xhaçka: Ky Panair i Punës do të ketë një përputhje shumë më të mirë të kërkesës dhe ofertës, duke qenë se bashkëpunimi i qeverisë me biznesin dhe veçanërisht i zyrave të punës me biznesin është kthyer tanimë në një bashkëpunim shumë të mirë dhe në një standart.

Ndërsa më herët ka pasur një përplasje shifrash për punësimin dhe papunësinë, për të rakorduar mes tyre dy intitucionet, INSTAT dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.

Përmes tij synohet dhënia e një informacioni transparent që i shërben të gjithë aktorëve në tregun e punës.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close