Raporti - Tensionet dhe biznesi, Goldstein: Krizat politike ngadalësojnë reformat
06/04/2017 - 10:03 Nga: Pranvera Bozhiqi

Shqipëria ka zbatuar në mënyrë energjike reformat, por krizat politike ndikojnë për ngadalësimin e tyre dhe rritjen ekonomike. Ky shqetësim është shprehur nga Banka Botërore për Shqipërinë, ndërsa është bërë publik Raporti për Ballkanin Perëndimor. Rritja ekonomike gjatë 2016 është përshpejtuar në vend sipas BB, por ecuria e saj kushtësohet nga stabilizimi fiskal, efikasiteti i shpenzimeve publike, forcimi i sistemit financiar dhe klima e biznesit.

Kriza politike rrezik për ngadalësimin e reformave strukturore dhe rritjen ekonomike. Ky shqetësim është shprehur nga Drejtorja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ellen Goldstein gjatë videokonferences që zhvilloi me gjashtë vendet e rajonit ku u prezantua raporti për secilin prej tyre.

Goldstein: Shqipëria ka zbatuar reformat në mënyrë energjike. Por krizat politike do të ngadalësonin reformat dhe rritjen ekonomike. Rritja dhe punësimi u rritën veçanërisht në vende që kanë shënuar progres të rëndësishëm në uljen e defiçitit fiskal, duke adresuar probleme të trashëguara të një shteti të madh dhe joefikas, si dhe duke përmirësuar mjedisin e biznesit për investime vendase dhe të huaja.

Ekonomistët e Bankës Botërore në Shqipëri kanë përsëritur se tensionet politike shihen si një rrezik i brendshëm i shtuar përpos atij të jashtëm që vjen nga faktorët ndërkombëtarë.

Nëse kriza përshkallëzohet atëherë projeksioni i rritjes do të ndryshojë.

Hilda Shijakul: Ndër rreziqet e brendshme do të përmendja tensionet politike të cilat mund të shkaktojnë një lëkundje në klimën e biznesit dhe gjithashtu ekziston rreziku që tensionet politike të ndikojnë në ngadalësimin e progresit të reformave strukturore dhe konsolidimit fiskal. Meqë nuk ka një vullnet politik të qartë për ti implementuar këto reforma, atëhere dhe besimi i tregjeve të huaja bie, primet e rrezikut për vendin rritet dhe kjo mund të materializohet në rreziqe reale.

Sipas BB konsolidimi fiskal e ka vendosur në trajektore rënëse borxhin publik i mbështetur nga rritja e të ardhurave dhe rënia e shpenzimeve.

Hilda Shijakul: Borxhi publik pritet të vijojë të jetë në një trajektore rënëse që prej 2016 e më tej, por kjo kërkon që konsolidimi fiskal të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe sukseset e arritura deri tani të vijojnë të mbeten.

Rritja rajonale parashikohet të jetë 2.8% për vitin 2016 dhe 3.2% për vitin 2017.

Konsolidimi i mëtejshëm fiskal dhe reformat strukturore janë të domosdoshme për të gjashtë vendet e rajonit për të përmirësuar efikasitetin e sektorit publik si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre.

Raporti thekson se reformat duhet të përqëndrohen në fushat e tregut të punës, klimën e biznesit, efikasitetin e sektorit publik dhe integrimin global, duke siguruar përdorim të qëndrueshëm të burimeve të energjisë dhe atyre natyrore.

POROSITË E BANKËS BOTËRORE

-Sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale, rritje e shpenzimeve publike

-Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes

-Rritje e efikasitetit të shërbimeve publike

-Thellimi i integrimit global

-Sigurimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mjedisit

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Gjykata Speciale në Kosovë flet për arrestimet e para

Close