Klubi i Guvernatorëve - Sejko: Shqipëria në një stad të ngjashëm zhvillimi me vendet e rajonit
03/04/2017 - 22:30

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në takimin e 37-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. Ky takim, i cili u zhvillua në Antalia të Turqisë dhe ku merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit, u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë,  Murat Çetinkaya dhe Zëvendëskryeministrit të Turqisë Mehmet Şimşek.

Punimet e Klubit u bazuan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe stabilitetit financiar, si dhe evidentimin e mekanizmave të politikave makroekonomike, financiare dhe strukturave ekonomike më të përshtatshme për të rritur rezistencën ndaj goditjeve të ndryshme.

Takimi shërbeu si një platformë e shkëlqyer diskutimi ku bankat qendrore patën mundësi të shkëmbenin idetë dhe eksperiencat lidhur me këto çështje.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,  Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit me temë “Politikat optimale mikse në mjedisin aktual: mësimet e nxjerra nga masat e zbatuara gjatë krizës”. Guvernatori Sejko solli në vëmendje të pjesëmarrësve, se vendet e Ballkanit Perëndimor pavarësisht se në periferi të krizës botërore, i ndjenë efektet e saj, në forma të tilla si frenimi i aktivitetit ekonomik, shoqëruar kjo shpeshherë dhe me një sërë problemesh strukturore.

Më tej, Guvernatori u shpreh se ndonëse ekzistuan debate mbi përshtatshmërinë dhe efikasitetin e instrumenteve të përdorura nga bankat qendrore për përballimin e krizës, këto instrumente arritën të shmangin pasojat e mëtejshme dhe gradualisht, të krijojnë premisa për rikthimin e trendit të rritjes.

Guvernatori theksoi se si një vend tipik i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ndodhet në një stad të ngjashëm zhvillimi me vendet e tjera të rajonit dhe se ekonomia shqiptare tashmë ndodhet në një trend pozitiv ku rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim progresiv.

Më tej gjatë prezantimit, Guvernatori Sejko vuri në dukje se nga çdo krizë duhen nxjerrë mësimet e nevojshme me qëllim shmangien e përsëritjes së gabimeve të mundshme: “Sa i rëndësishëm është kapërcimi i një krize, aq e rëndësishme është edhe të mësuarit prej saj”.

Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se Banka e Shqipërisë nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj  në ekonomi, njëkohësisht si nxitës dhe rregullator ka dhënë kontributin e nevojshëm në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close