Deklarata - Sejko: Raporti i BE, vlerëson punën tonë, rriten kreditë, ulen ato të këqija
26/05/2017 - 14:30 Nga: Pranvera Bozhiqi

Ulja e nivelit të kredive me probleme ishte një prej rekomandimeve të lëna më së fundi nga Bashkimi Evropian në raportin e vlerësimi për ekonominë shqiptare.

Referuar kësaj Guvernatori Gent Sejko thotë se trendi rënës këtij niveli vijon dhe për muajin prill kreditë e këqija kanë zbrritur në normën e 16.5%.

Sejko: Në muajin e fundit kemi një vazhdim të arritjes së uljes së normës së kredive me probleme. Norma e kredive me probleme nga 25% ka arritur në nivelin e 16.5%. Sistemi financiar dhe sistemi bankar është i qëndrueshëm, shumë i shëndetshëm me një tepricë shumë të lartë likuiditeti dhe me një normë shumë të lartë mjaftueshmërie. Kjo është një garancë për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike sipas parashikimeve që ne kemi.

Situata e krijuar me institucionet financiare pas marrëveshjes politike për drejtues teknikë të tyre për Bankën e Shqipërisë nuk shihet si shqetësim. Guvernatori Gent Sejko vlerëson se e rëndësishme për BSH është vijimi i reformave strukturore dhe stabiliteti i çmimeve.

Sejko: Elementi më i rëndësishëm i gjithë kësaj historie është se krijohet një stabilitet për vazhdimin normal të punës. Qeveria vazhdon punën. Për ne është e rëndësishme që të vazhdojë puna pasi ka rëndësi edhe në lidhje me vazhdimin e reformave strukturore, me të cilat ne kemi të ndërthurur punën tonë në funksion të rolit tonë si rregullator dhe si synues i arritjes së stabilitetit të çmimeve. Nuk shikojmë ndonjë problem.

Sipas marrëveshjes politike Rama –Basha, Ministria e Financave do të drejtohet nga një ministër teknik dhe po ashtu OSHEE, ALUIZNI, ZRPP dhe AZHBR.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Itali, 33 vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në punë

Close