Raporti i BSH - Sejko: Krizat rritin pasiguritë, korrektim të rritjes ekonomike
29/03/2017 - 19:07 Nga: Pranvera Bozhiqi

Banka e Shqipërisë paralajmëron se kriza politike dhe zgjatja e saj do të ketë pasoja negative për ekonominë dhe rritjen e saj. Guvernatori, Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikyrës thotë se të tilla situata sjellin pasiguri. Guvernatori rikonfirmoi edhe një herë betejën e nisur me euroizimin e ekonomisë, ndërsa vërehet një rritje e kredive në monedhë vendase kryesisht për individët. Hezituese, kërkesë jo cilësore dhe gjendje e bollshme kapitali shfaqet situata për bizneset, për të cilat kreditimi mbetet në stanjacion. Në 18% janë ulur edhe kreditë me probleme në fund të 2016 dhe dy muajt e parë të 2017.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka lajmëruar ndikimin negativ për rritjen ekonomike të situatës politike në vend.

Sipas tij Banka e Shqipërisë ka marrë parasysh zhvillimet elektorale, ndërsa ka paralajmëruar edhe korrektime për rritjen ekonomike përgjatë këtij viti.

Sejko: Modeli për parashikimin dhe rritjen ekonomike i Bankës së Shqipërisë ka një korrektim duke marrë parasysh situatën politike. Ne gjykojmë dhe shpresojmë që proçeset do të ecin, do të vazhdojnë brenda afateve dhe parametrave normal demokratikë.

Një plan masash po bëhet gati edhe për bankat që pas hetimit të Autoritetin e Konkurrencës kanë shtrembëruar konkurrencën mes tyre.

Beteja të përditshme duket se Banka e Shqipërisë po zhvillon edhe për deeuroizimin e ekonomisë.

Sejko: Përfitueshmëria e bankave është një përfitueshmëri objektive normale, nga ana tjetër me Autoritetin e Konkurrencës ne jemi duke bashkëpunuar për të pasur një memorandum të qartë mirëkuptimi por për të pasur dhe një plan masash për të rritur nivelin e transparencës në sektorin bankar.

Guvernatori thotë se është rritur portofoli i kredisë në monedhë vendase dhe se kreditë me probleme kanë zbritur në 18% në fund të 2016 dhe për dy muajt e parë të 2017.

Sejko: Kostot e financimit të sektorit privat ruajnë nivelet e ulëta historike dhe kushtet jo çmim vijojnë të lehtësohen për individët por mbeten të shtrënguara për bizneset, kryesisht ato korporatë. Vëllimi i kredisë në lekë u rrit me 11% me terma vjetorë, duke kompensuar tkurrjen e kredisë në valutë në janar të këtij viti. Por shpërndarja e kësaj kredie tregon përqëndrimin e saj në sajë të individëve ndërkohë që kredia për bizneset vijon të jetë akoma e ngadaltë.

Sipas Bankës së Shqipërisë tregjet financiare shfaqen të qeta dhe rritja ekonomike vijon edhe për 2017, ndërsa ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.25%.

Të dhënat
2.8 % Inflacioni vjetor
2.2 % Inflacioni Janar-Shkurt 2017
14.2% Norma e papunësisë
11% Rritja e vëllimit të kredisë në lekë
1.25% Norma bazë e intersit
0.25% Norma e interesit për depozitat
2.25% Norma e kredisë njëditore

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close