Pasiguria - Sejko: Fushata ngadalësoi ekonominë në tremujorin e dytë
05/07/2017 - 17:49 Nga: Pranvera Bozhiqi

Një ngadalësim i rritjes ekonomike të vendit është vënë re nga Banka e Shqipërisë në tremujorin e dytë, për shkak të situatave të pasigurta parazgjedhore. Kështu thotë Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, ndërsa veçon se edhe kushtet e pafavorshme klimaterike kanë pasur një ndikim të ndjeshëm në sektorët e prodhimit. Kursi i këmbimit do të vijojë të jetë i paparashikueshëm thotë Guvernatori Sejko, ndërsa euro do të vijojë të jetë e dobët.

Rritja e ekonomisë së vendit është ngadalësuar në tremujorin e dytë të 2017 për shkak të periudhës së pasigurte parazgjedhore.

Kështu u shpreh Guvernatorit i Bankës së Shqipërisë pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, ku veçoi se ndikim kanë pasur edhe kushtet e pafavorshme klimaterike në disa sektorë të prodhimit në vend.

Gent Sejko: Rritja ekonomike shënoi vlerën 3.94% në tremujorin e parë, ndërkohë që të dhënat e disponuara sugjerojnë një ngadalësim të saj në tremujorin e dytë. Një nga faktorët lidhet me pasigurinë që shoqëron situatat para-zgjedhore. Më tej, në muajin e fundit, një pasiguri e shtuar buron nga kushtet e pafavorshme klimaterike, efektet e të cilave mund të shfaqen në sektorë të caktuar të prodhimit. Efektet që rrjedhin nga këto pasiguri pritet të jenë të përkohshme.

Guvernatori paralajmëroi se euro do të vijojë të jetë e dobët kryesisht prej hyrjeve të turistëve në vend.

Sejko mohon që fushata elektorale të ketë ndikuar në rënien e monedhës së përbashkët, por jo qarkullimin e parave informale gjatë fushatës.

Gent Sejko: Situata zgjedhore nuk ka krijuar pasiguri të mëdha në flukset turistike, sidomos pas zgjedhjeve janë rritur flukset e turistëve por dhe në periudhën parazgjedhore dhe kjo ka krijuar një ofertë në euro. Paraja në qarkullim gjithmonë është ajo që krijon kërkesën dhe ofertën kundrejt valutës dhe lekut dhe kjo nuk shmang edhe para në qarkullim nga informaliteti.

Guvernatori shprehet se kursi i këmbimit do të vijojë të jetë i paparashikueshëm si pasojë e kërkesë ofertës.

Banka e Shqipërisë raporton se niveli i kredive me probleme ka rënë në 15.8% në maj nga 16.5% që ishte në majin prill.

Ndërsa është mbajtur e pandryshuar norma bazë e interesit në 1.25%.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
City hall’s investments, Mayor inspected work for construction of 23rd playground

Close