Ministria e Transportit - Rruga e Arbrit me koncesion, hapet gara për aplikimin e kompanive
10/08/2017 - 14:33

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka hapur sot zyrtarisht garën për dhënien me koncesion të Rrugës së Arbrit, e cila lidh Tiranën me Peshkopinë.

Kontrata do të jepet në formën e partneritetit publik privat, ku subjekti që do të rezultojë fitues do të ndërtojë, operojë dhe mirëmbajë këtë aks kombëtar.

Sipas njoftimit, ofertat do të hapen në datën 2 tetor, ndërkohë që ndërtimi i rrugës pritet të fillojë menjëherë pas firmosjes së kontratës me fituesin, ndërsa fondi i vënë në dispozicion përmes projektit “1 Miliard Euro” është 33.6 miliardë lekë, ose rreth 254 milionë euro.

Si pjesë e këtij projekti, pagesa për kompaninë fituese do të bëhet me “këste” në 10 vitet e ardhshme, ku kësti i parë do të jepet jo më parë se dy vjet pas miratimit të kontratës PPP.

Sipas formës së përzgjedhur, kompania që do të shpallet fituese në tender do ta ndërtojë rrugën me fondet e saj dhe paralelisht do të ketë detyrimin për ta mirëmbajtur atë për 13 vitet e ardhshme.

Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 73.5 kilometër. Aktualisht në këtë rrugë ka përfunduar plotësisht 20.12 kilometra të saj e gjitha e ndërtuar me buxhetn e shtetit .

Fituesi do të përzgjidhet në bazë të 5 kritereve, ku përfshihet: propozimi teknik për ndërtimin e rrugës dhe mirëmbajtjes që parashikon ti japë kompanisë 45 pikë, ndikimi mjedisor , ndikimi social , afati i përfundimit të punimeve dhe oferta financiare.

Ndërtimi i rrugës së Arbrit është pjesë e programit 1 miliard euro, që u lançua nga qeveria në fillim të këtij viti.

Rruga që e ka origjinën nga Periudha Romake, do të kalojë në 10 zona dhe do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Për herë të parë qeveria shqiptare programoi ta ndërtonte këtë rrugë në vitin 2013 në kohën kur qeverisnin të djathtët në koalicion me LSI.

Në prill të këtij viti qeveria ka shpërblyer me një bonus sa dhjetë përqind të pikëve ofertën e një kompanie private për ndërtimin e Rrugës së Arbrit çka e favorizon këtë firmë të fitojë tenderin. Ndërtimi i kësaj rruge parashikohet të zgjasë 46 muaj.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close