Raporti i BSH - Rritet ekonomia, koha për të rritur pagat
13/08/2017 - 12:43

Banka e Shqipërisë raporton një rritje të ndjeshme të ekonomisë shqiptare në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Madje theksohet se po i afrohet gradualisht nivelit të potencialit.  Në analizën e politikës monetare nënvizohet se ka një rënie të papunësisë, me 2.4 pikë për qindje.

Në bazë të këtyre të dhënave Banka e Shqipërisë thekson se ky përmirësim ciklik do të mundësojë një rritje graduale të pagave dhe një konvergjencë të marzheve të fitimit të biznesit drejt mesatareve historike.

Përsa i përket rënies së Euros dhe Dollarit në kursin e këmbimit, sqarohet se kjo vjen si pasojë e forcimit të ekonomisë, por dhe si pasojë e trendit në vendet e BE-së ku monedhat vendase shënojnë një rritje ndaj valutës së huaj, duke përjashtuar këtu Rumaninë.

Ndërsa  pritet që në periudhat në vazhdim të mos ketë ndryshime të forta në kursin e këmbimeve.

Sa i përket likuideteve të kompanive dhe huave të dhëna nga bankat, nënvizohet se ka një rritje të kredive konsumatore, por një stanjacion të situatës së bizneseve.

Banka e shqipërisë sqaron se cikli rritës i investimeve është financuar, deri tani dhe në masën më të madhe, nga përdorimi i fondeve të veta të biznesit.

Megjithatë, duke parë nga e ardhmja, nevoja në rritje për financim e bizneseve pritet të shoqërohet me rritje të kërkesës për kredi. Por po ashtu vërehet dhe një rritje dhe të parasë jashtë bankave.

Ndërsa stoku i depozitave u rrit me 4.5% në terma mesatarë vjetorë, duke ruajtur normë të njëjtë rritjeje me tremujorin e kaluar, ku depozitat në valutë shënon një rritje më të lartë.

Ecuria sipas agjentëve ekonomikë evidenton rritje të depozitave të biznesit, e cila për Bankën e Shqipërisë tregon për shtim të likuiditetit dhe përmirësimit të aktivitetit ekonomik.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close