Speciale e Ora News - Rikthehet paniku në Greqi, shuma të mëdha parash tërhiqen nga bankomatët
25/03/2017 - 15:48 Nga: Robert Goro

Rikthehet paniku dhe pasiguria për paratë e depozituara në banka tek qytetarët grekë. Në dy muajt e parë të vitit 2017 nga bankat kanë rrjedhur 4 mld euro dhe nga 132mld euro që ishin depozitat në dhjetor 2016, sot totali i depozitave në bankat greke ka shkuar 128 mld euro. Vonesat me negociatat për marrjen e një kësti tjetër kredie ka shkaktuar këtë gjendje, ndërsa ekspertët flasin për dy skenarë në një të ardhme të afërt.

Negociatat e qeverisë greke me kreditorët vazhdojnë të jenë temë e ditës në Greqi. Një temë që gjithashtu ka një amplifikim ndërkombëtar, për shkak të deklaratave të njëpasnjëshme që shkëmbehen mes të dy palëve, ndërsa ekipi i kontrollit, që ka mbetur në histori me emrin “trojka”, ende nuk dihet se kur do të rikthehet në Athinë.

Mbyllja me sukses e negociatave është kushti kryesor që Athina të marrë një tjetër këst të kredisë prej 86 miliardë eurosh që iu akordua para dy vjetësh, në kuadër të një programi tjetër të shpëtimit të vendit. Kontrata e qeverisë Tsipras me kreditorët përmban reforma të dhimbshme, një pjesë e të cilave janë realizuar. Por Athina reziston për marrjen e masave të tjera shtrënguese, siç kërkon Brukseli. Kjo është dhe arsyeja që negociatat shtyhen pa fund dhe megjithë optimizmin e palës greke, partnerët ndërkombëtarë thonë se ende mbetet shumë për të bërë deri në kyçjen e marrëveshjes. Vonesa në negociatat ka filluar tashmë të krijojë një gjendje pasigurie, e cila më së pari është pasqyruar në sektorin bankar, ku deri më tani kishte pasur një stabilitet relativ.

Në mesin e vitit 2016, kur përfundoi me sukses inspektimi i parë i programit grek të shpëtimit, besimi i qytetarëve ndaj bankave u rikthye. Ashtu siç u rikthye dhe një pjesë e parave që mbaheshin të fshehura nën dyshek, si i thonë fjalës. Qytetarët nuk tërhiqnin masivisht para nga bankomatet, bizneset i rritën depozitat, ndërsa u shtua edhe blerja e aksioneve në bursat jashtë shtetit.

Mirëpo ngërçi i ri në negociatat e tanishme e përmbysi situatën. Tërheqjet nga bankomatet janë shtuar sërish, si nga depozitat familjare, edhe nga ato të biznesit, që iu rikthyen sërish pagesave cash, ndërsa deri para pak kohësh paguanin në mënyrë elektronike.

Sipas të dhënave zyrtare, brenda dy muajve të parë të këtij viti, nga bankat greke firuan 4 miliardë euro. Gjendja e përgjithshme e depozitave në dhjetor të vitit të kaluar ishte 132 miliardë euro, ndërsa në shkurt të këtij viti u mbyll në shumën 128 miliardë.Sipas ekspertëve, kjo rrjedhje e re e depozitave shpjegohet me vonesën e negociatave dhe shqetësimin në rritje për një rikthim të recesionit në ekonominë greke.

Ekspertët vlerësojnë se dy janë skenarët e mundshëm për të ardhmen e afërt.

Skenari i parë, ai pozitiv, konsiston në një finalizim të negociatave brenda muajit prill, që do të sjellë si rezultat lehtësimin e borxhit grek, që do të pasohet nga ulja e interesave të kreditimit prej Bankës Qendrore Europiane.

Skenari i keq parashikon që negociatat të mos kenë përfunduar as në qershor. Një muaj që konsiderohet vendimtar, pasi Greqisë do t’i duhet të shlyejë bonde me vlerë 7,4 miliardë euro. Prandaj dhe kësti i kredisë që do të çlirohej me arritjen e marrëveshjes, është i domosdoshëm për Athinën. Disa analistë dyshojnë se qeveria Tsipras kërkon t’i shtyjë negociatat deri në shtator, kur do të mbahen zgjedhjet në Gjermani, duke shpresuar se një qeveri e re gjermane do të jetë më elastike dhe më tolerante.

Duke komentuar një zhvillim të tillë të mundshëm, ekspertët bankarë nuk pranojnë të flasin para kameras. Por në konfidencë thonë se për ekonominë greke do të jetë një zhvillim më katastrofik dhe do të shkaktojë dëme më të mëdha nga sa vonesa e finalizimit të negociatave në vitin 2015, kur vendi u ndodh në buzë të falimentimit dhe kolapsit ekonomik e financiar.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close