Deklarata e Dhomës së Tregtisë - ‘Qeveria të kthejë sytë nga sipërmarrja, fatura e krizës në qershor’
22/05/2017 - 16:13 Nga: Pranvera Bozhiqi

Kriza politike e këtyre muajve ka dhënë një faturë dëmi edhe për biznesin shqiptar. Sa ka kushtuar kjo krizë do të mësohet në fund të analizës së 6 mujorit të parë të vitit, por Dhoma e Tregtisë drejton një apel tashmë që marrëveshja është arritur. Biznesi kërkon vëmendje dhe konsultime sa herë që bëhen politika të reja fiskale.

Vëmendje e pamjafshtueshme ndaj sipërmarrjes shqiptare prej politikës, jo vetëm në kohë fushatash elektorale por edhe gjatë ushtrimit të mandateve qeverisëse. Ky shqetësim është ngritur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ku nënkryetari Arben Shkodra thotë se ka mungesë totale të dëshirës të politikës, për t’u konsultuar me botën e biznesit.

Arben Shkodra: Ne sot u kërkojmë forcave politike të kthejnë vëmendjen tek ekonomia dhe tek sipërmarrja private. Menjëherë të fillojë diskutimi për gjëra të cilat aktualisht janë në tryezat e tyre. Më pas ne duhet të kuptojmë se kush është oferta e tyre në lidhje me ekonominë sepse sipërmarrja është shumë e interesuar të dijë se cili do të jetë programi ekonomik i një qeveri në shtator të 2017.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ftoi publikisht politikën të kthejë sytë nga biznesi të cilin e ka bërë kurban të krizave që ajo vetë prodhon. Biznesi do të publikojë këtë faturë në mbylljen e 6 mujorit të parë të këtij viti.

Arben Shkodra: Është herët për të diskutuar për kosto, normalisht 6 mujori do të jetë një moment i mirë për sipërmarrjen për të bërë një bilanc 6 mujor të aktivitetit të saj. Natyrisht që ne ndjejmë që ka pasur një shqetësim të madh të sipërmarrjes. Ky shqetësim nuk duhet të përkthehet në kosto materiale ose në kosto monetare. Shpresojmë që jo.

Situata shqetësuese e krijuar nga bojkoti parlamentar dhe mungesa e dialogut politik për disa muaj përfishu në ngërç edhe ekonominë, duke i vënë bizneset në gjendje ngriva-shkriva për investimet e tyre.

Me arritjen e kësaj marrëveshje sipërmarrësit ndihen më të çliruar.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Basha: Sot Edi Rama e shiti Saimir Tahirin për të shpëtuar lëkurën e tij

Close