Vendimi i Qeverisë - Rriten pagat, 10% më shumë për punonjësit e administratës publike
08/03/2017 - 12:18 Nga: Pranvera Bozhiqi

Që prej 8 marsit të gjitha pagat për punonjësit e adminisratës publike do të rriten. Vendimin e ka marrë Këshilli i Ministrave sipas të cilit përfitojnë 31 mijë punonjës të arsimit, 3500 akademikë dhe profesore si edhe 18000 punonjës të shëndetësisë. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se gjithçka ishte rezultat i tre viteve reforma të qeverisë, ndërsa veçoi se edhe reforma në drejtësi dhe vettingu pritet te kenë një ndikim të madh për zhvillimin ekonomik në thithjen e investimeve.

Rritja e pagave për të punësuarit e shtetit merr jetë prej ditës së sotme me vendim të Këshillit të Ministrave.

10% më shumë për akademikët, mësuesit, profesorët e arsimit të lartë dhe punonjësit e shëndetësisë, tha ministri i Financave Arben Ahmetaj në përfundim të mbledhjes së qeverisë.

“Fondi më i madh i rritjes së pagave dhe pensioneve në 25 vjet i akorduar nga buxheti i shtetit.Duke filluar nga sot është jetësuar rritja e pagave mesatarisht 10% për punonjësit e administratës publike dhe nëpunësit civil, aparatet e Ministrive të linjës, administratën e Presidentit, Kuvendit, KQZ, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme.

Disa institucione të pavarura, institucione në varësi të Kryeministrit, Ministrave të linjës dhe administratën e Prefektit. Sot është jetësuar dhe rritja e pagave për punonjësit e arsimit parauniversitar me 10%.Nga ky vendim përfitojnë 31 370 punonjës të sistemit arsimor me efekt 1.3 miliard lekë për periudhën 12 mujore.Rritja e pagave në këtë sistem shoqërohet dhe me rritjen e pagave në sistemin e arsimit të lartë 10-12% për 3500 profesorë dhe punonjës akademikë.

Në sistemin shëndetësor përfitojnë 18 mijë nëpunës me një fond 1.3 miliard lekë në 12 muaj. Në të njëjtën kohë rriten me 10% të pagës të gjitha gradat diplomatike dhe një rritje prej 7% e administratës për njësitë vendore”.

Kreu i Financave theksoi edhe një herë nevojën që ka ekonomia për reformën në drejtësi dhe proçesin e vettingut.

Ahmetaj: “Është reforma në drejtësi, vettingu, që do të bëjë të mundur një zhvillim ekonomik akoma më të madh dhe që të zhvillojë punësimin nëpërmjet tërheqjes së investimeve të huaja”.

Rritja e pagave ishte nismë e qeverisë pjesë e paketës së solidaritetit së bashku me një sërë nismash të tjera ligjore sikurse ligji i faljes, rritja e pensioneve etj.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Political dialogue, PM Rama: Ready to dialogue, but without conditions

Close