Forumi i Biznesit Trieste - Një Dhomë Tregtie e përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor
11/07/2017 - 14:35 Nga: Alba Kepi

Krijimi i një Dhome të përbashkët Tregtie me seli të përhershme në Dhomën e Tregtisë të qytetit të Triestes është një nga objektivat e Samitit të Triestes gjatë të cilit do të zhvillohet dhe Forumi i Biznesit me përfaqësuesit e institucioneve dhe të bizneseve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe të Ministrave të Ekonomisë e Transportit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnja Hercegovinës, Serbisë e Kroacisë.

Hapja e kësaj Dhome Tregtie të Përbashkët e vendosur qysh në Samitin e Vienës në kuadër të procesit të Berlinit do të favorizojë marrëdhëniet ekonomike mes Italisë e vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe të bashkëpunimeve në projekte të rëndësishme rajonale.

Forumi i Biznesit që do të mbahet gjatë Samitit të Triestes do të zhvillohet në katër seanca dedikuar temave të Energjisë e Ambientit, Infrasktrukturës, Inovacionit e Instrumenteve Financiare.

Përgjatë tij do të zhvillohen takime të përbashkëta mes përfaqësuesve të sipërmarrjeve ballkanike, institucioneve qeveritare të vendeve pjesëmarrëse dhe sipërmarrjeve italiane.

Forumi i Triestes do të luajë një rol të rëndësishëm në shembjen e të gjitha pengesave për krijimin e një ambienti të përbashkët biznesi i aftë që të kontribojë në rritjen e ekonomisë së rajonit me një vëmëndje të veçantë ndaj tërheqjes së investitorëve, rritjes së eksportit dhe rritjes së konkurencës së sipërmarrjeve në tregun ndërkombëtar.

Shqipëria do të përfaqësohet në këtë Forum nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik Milva Ikonomi, ndërsa Kosova nga Ministrja e Ekonomisë dhe e Transportit Hykmete Bajrami.

Në Dhomën e përbashkët të Tregtisë së vendeve të Ballkanit Perëdimor parashikohen të jenë pjesë rreth 350 mijë sipërmarrje. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
City hall’s investments, Mayor inspected work for construction of 23rd playground

Close