Memorandumi - Ndërmarrje e përbashkët me Greqinë për menaxhimin e TAP në Shqipëri
13/04/2017 - 21:43 Nga: Robert Goro

Segmenti i gazsjellësit TAP në territorin e Shqipërisë do të menaxhohet nga një ndërmarrje e përbashkët që u krijua midis kompanisë shqiptare Albgaz dhe operatorit të sistemit të gazit të Greqisë, DESFA. Lajmi, që u bë publik të enjten, ka gjetur një pasqyrim të gjerë në mediat greke.

Lajmi për nënshkrimin në Tiranë të memorandumit përkatës, është bërë publik në Greqi të enjten pasdite.

Bëhet fjalë për memorandumin e mirëkuptimit, të nënshkruar të mërkurën, midis kompanisë shqiptare Albgaz dhe ndërmarrjes shtetërore greke DESFA, që është operatori i sistemit kombëtar të transmetimit të gazit në Greqi.

Ndërmarrja e përbashkët që do të rezultojë pas memorandumit, do të menaxhojë funksionimin dhe mirëmbajtjen e pjesë shqiptare të gazsjellësit TAP.

Ndërmarrja do ta ketë qendrën në Shqipëri dhe detajet e organizimit e të ndarjes së aksioneve do të përcaktohen shumë shpejt, nga grupi i punës që u ngrit për këtë qëllim.

Kështu thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të DESPA-s.

Në njoftimin përkatës, përfshihen edhe deklaratat e presidentit të  kompanisë greke, Sotiris Nikas, sipas të cilit “ kompania e re, përveç gjithë të tjerave do të ofrojë atë që kaq shumë nevojë e kanë Greqia dhe  Shqipëria, vende të reja pune për kuadro të aftë dhe të talentuar në të vendet”.

Ndërsa Presidenti i Albgaz, Klodian Gradeci, theksoi se kompania e re do të jetë shumë shpejt një realitet.

Lajmi ka gjetur një pasqyrim të gjerë në mediat greke. Dhe kjo ndoshta shpjegohet me faktin se në vitet e krizës janë të mjaft të pakta investimet greke jashtë vendit.

Nga ana tjetër, qeveria Tsipras, ka vendosur të shesë 66% të aksioneve shtetërore të kësaj kompanie.

Por edhe pse kishin avancuar mjaft negociatat me kompaninë publike të Azerbajxhanit SOCAR, përfundimisht oferta e tyre u konsiderua e pamjaftueshme dhe proçesi u pezullua.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shqipëria, i vetmi vend që përfshin në TVSH edhe biznesin e vogël

Close