A do të kemi energji? - MEI: Niveli i Fierzës më i ulëti në 5 vite, akuza ish-Drejtorit të OSHEE
03/07/2017 - 16:54 Nga: Pranvera Bozhiqi

Kaskada e Drinit nuk mund të sforcohet më për të prodhuar energji dhe nevojat e konsumatorëve do të mbulohen nga importi i energjisë. Kështu bën me dije Ministria e Energjisë e cila për rënien tej normave të nivelit të Fierzës bën fajtor drejtorin teknik të OSHEE-sw, Haki Mustafa. Sipas Ministrisë, Drejtori teknik ndaloi importin e energjisë të nisur nga OSHEE për të ruajtuar rezervat e Fierzës duke urdhëruar që të vijonte prodhimi nga kaskada e Drinit. Aktualisht OSHEE ka shtuar sasinë e energjisë që po importon duke e blerë atë edhe me çmim më të lartë.

Blerja e energjisë nga importi për të mbuluar nevojat e konsumatorëve shqiptarë është e vetmja mundësi në kushtet kur KESH nuk mund të sforcohet më tej për të prodhuar nga Kasakada e Drinit.

Kështu njofton Ministria e Energjisë e cila shpjegon se niveli i Fierzës në fund të prillit paraqitet 16 m më pak se niveli i saj prill 2016 dhe më i ulët në 5 vitet e fundit.

Kjo është periudha kur krijohen rezervat për muajt e nxehtë të verës, por këto rezerva paraqiten me një deficit prej rreth 700 GWh.

Ministria shpjegon se gjatë kohës kur OSHEE ishte nën drejtimin e një titullari teknik Haki Mustafa, ka ndërprerë importin e energjisë të nisur nga OSHEE si një mënyrë për të ruajtur rezervat e kaskadës dhe ka udhëruar që të vijonte prodhimi i energjisë në vend duke sforcuar kaskadën.

Sipas ministrisë, Haki Mustafa vendosi që OSHEE të blejë energji vetëm në tre ditët e fundit të qershorit dhe për muajin korrik, por tashmë furnizimi me energji nga kaskada e Drinit kishte ulur tej normave nivelin e Fierzës.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i basenit të liqenit ka zbritur në 270 m, ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. Sqarohet se aktualisht KESH prodhon energji për nevojat e OSHEE vetëm duke shfrytëzuar sasinë prurjeve natyrale për të mos ulur më shumë nivelin e kaskadës së Drinit. 

Për shkak të rritjes së konsumit, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, së fundmi OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin korrik në masën 112 000 MWh.

Kryeja e importeve në kushtet e thatësirës së tej zgjatur dhe nivelit të ulët të kaskadës që pamundëson mbulimin e ngarkesës së pikut, bën që edhe çmimet e importit të jenë më të larta.

Korporata Elektroenergjitike mund të lehtësonte në zgjidhjen e situatës duke përdorur fondin prej 22.4 milion eurosh që e ka në dispozicion në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjitike.

Por ky fond i parashikuar posaçërisht për import energjie nga KESH-i në kushtet e krizave me thatësirë të zgjatur mund të çlirohet vetëm pas një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Deri sa ky vendim të mund të miratohet, OSHEE do të përdorë fondet e veta për të garantuar blerjen e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit të konsumatorëve.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
U kapën me 200 mijë paund kokainë, 20 vjet burg për tre shqiptarë

Close