Çfarë fal Qeveria?! - “Ligji i faljeve”, Buxhuku: Nuk zgjidh shkakun nga buron borxhi i bizneseve
01/03/2017 - 17:08 Nga: Pranvera Bozhiqi

Bizneset nuk do të arrijnë ti paguajnë shtetit borxhet e akumuluara në vite edhe pas nisjes së zbatimit të ligjit të faljes fiskale. Një konstatim i tillë vjen nga Konfindustria dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, sipas të cilëve kushti për të paguar principalin që të fshihen gjobat e kamatvonesat, nuk mund të plotësohet prej shumë sipërmarrësve, në pamundësi likuideti. Por sipas tyre ligji nuk zgjidh shkakun e krijimit të borxheve, që është niveli i lartë i barrës fiskale dhe mungesës së politikave mbështetëse nga shteti për rimëkëmbjen e tyre.

Shumë biznese nuk do të mund të arrijnë të shlyejnë borxhet edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të faljes.

Konfederata e Industrive të Shqipërisë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës konstaton se bizneset dhe sipërmarrjet nuk i kanë shmangur detyrimet që kanë në shtet, duke krijuar një stok të lartë borxhi ndaj tij, por ato ndodhen në pozita të pamundura për të paguar për shkak të barrës së lartë fiskale, politikave të gabuara stimuluese dhe krizës ekonomike që ende ndjehet në vend.

Ndërsa Gjergj Buxhuku nga Konfindustria thotë se ligji duhej të shoqërohej me rishikim të nivelit të taksave.

Gjergj Buxhuku: Kanë pamundësi objektive për ti paguar. Falja fiskale e këtij viti duhet të shoqërohet patjetër me një rishikim të plotë të politikave fiskale me kah drejt uljes së taksave dhe tarifave.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Arben Shkodra, thotë se me këtë ligj duket se qeveria pranon se ka një pjesë të fajit për borxhin që kërkon të mbledhë.

Arben Shkodra: Do përballen me një detyrim të menjëhershëm për ta paguar në këtë kohë. Nuk ka instrumenta të tjerë financiarë të cilët mund të garantojnë të kemi vijueshmërinë, duke u lehtësuar atyre pagesën.

Sipas Buxhukut ligji në prag zgjedhjesh fut në një rreth vicioz biznesin. Ndërsa për Dhomën e Tregëtisë biznesi i ndershëm vendoset në pozita diskriminuese.

Gjergj Buxhuku: Bizneset dhe qytetarët do të thonë nuk po paguajmë se do të vinë prapë zgjedhjet e rradhës të cilat prapë do të na falen.

Arben Shkodra: Ai që do të paguajë taksat do të gjendet në të njëjtën rrugë me të njëjtin dyqan që nuk ka paguar taskat dhe funksionojnë të dyja në ekonomi.

Një propozim tjetër për të frenuar krijimin e boxhit dhe rregulluar pozicionin e sipërmarrësve vjen nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë.

Arben Shkodra: Ka ardhur koha për një amnisti të përgjithshme.

Ligji i fjales dhe fshirjes pjesore të detyrimeve tatimore dhe doganore ka mbërritur në Komisionet parlamentare dhe sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë ai duhet të votohet deri në 7 prill.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close