Turizmi në fushatë - Lapsi i programeve politike ka harruar turizmin
07/06/2017 - 16:32 Nga: Pranvera Bozhiqi

Tonet e larta të politikës në fushatën elektorale nuk kanë ndikuar në sezonin turistik, përkundrazi operatorët presin rritje të fluksit të pushuesve. Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve, Kliton Gërxhani, tërheq vëmendjen se asnjë nga partitë politike nuk ka program për zhvillimin këtij sektori. Shqetësim shihet shpërqendrimi i administratës në dhënien e shërbimeve.

Zërat e fushatës, premtimeve dhe akuzave gëlojnë në të gjithë vendin, bregdet dhe zona malore.

Por teksa i shfrytëzojnë këto mjedise për joshje ndaj votës, lapsi i hollë i subjekteve politike nuk ka shkruar asnjë rresht për turizmin.

Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike, Kliton Gërxhani, thotë për Ora News së asnjë parti nuk ka diskutuar me ta dhe as ka ofruar një platformë apo program se çfarë do të ndodhë me turizmin.

Gërxhani: E vetmja gjë që dëgjojmë janë disa shifra të punësuarish në këtë sektor, ose nga  totali shumë bazohen tek sektori i turizmit për të rritur numrin e të punësuarve por vetëm kaq. Për fat të keq asnjë nga partitë nuk është ulur në tavolinë me profesionistët e sektorit të turizmit, kjo është një nga mangësitë kryesore të këtij viti elektoral, krahasuar me vitet e mëparshme.

Prej qershorit sezoni turistik dhe fushata ka nisur startin që do të mbyllet më 25 qershor. Kjo ka sjellë sipas Gërxhanit,  shpërqendrimin e administratës duke u bërë pengesë për ta.

Gërxhani: Nevoja ka pafund si në turizmin e plazhit, turizimin e kulturës apo natyrës, për investime të caktuara, kontrolle, standarte. Shumë gjëra në një farë mënyre kanë mbetur prej kohësh pezull.

Prej 5 qershorit, biznesi i hoteleri-turizmit, po reflekton uljen e TVSH për akomodimin dhe ky është i vetmi lajm i mirë për këtë sektor në këtë vit elektoral.

Gërxhani: Bizneset kanë adaptuar dhe kasat fiskale, ka hyrë në fuqi realisht kjo gjë.

Përfaqësuesit e hotelerisë shprehen se efekti i shumë pritur i përshkallëzimit të TVSH do të ndihet vitin e ardhshëm, kur ulja e kostove do të ndihmojë përballë  konkurencës së rajonin.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Itali, 33 vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në punë

Close