Këshilla e Civicit - Kujdes me kreditë, zgjidhni monedhën që keni të ardhurat
22/05/2017 - 9:57 Nga: Jonida Tashi*

Nëse një individ që do të marrë sot një kredi bankare ka dilema për të zgjedhur mes euros dhe lekut, eksperti i ekonomisë Ardian Civici rekomandon që kredia të merret në monedhën që individi ka të ardhurat kryesore, për t’u ruajtur nga luhatjet e kursit të këmbimit.

“Sot që leku është i forcuar dhe euro është më e dobët në raport me lekun kushdo që ka kredi në euro të marrë deri tani mund ta shlyejë atë më lirë se sa më parë, por duke pasur parasysh ecurinë që kanë monedhat kryesore, asnjëherë nuk je i sigurt për kursin e këmbimit stabël për një periudhë afatgjatë. Ashtu siç është i favorshëm sot në shumë aspekte një euro më e dobët në raport me lekun, ashtu nesër mund të kthehet e kundërta.

Ne kemi pasur një diferencë dhe një tendencë për të marrë kredi në euro dhe kur kishim të ardhura në lekë sepse norma e interesit për euron ishte shumë më e ulët. Sot, që normat e interesit për kredinë janë pothujase të barabarta natyrisht që nuk ka më arsye që të ndodhi ky ndryshim. Në qoftë se ka biznese ose individë që aktivitetin e kanë me eurozonën dhe të ardhurat kryesore i kanë në euro nuk përbën fare problem që ata t’i marrin kreditë në euro. Por për masën e madhe, që të ardhurat kryesore dhe aktivitetin i kanë në lekë, për t’u ruajtur nga luhajtet e kursit të këmbimit, rekomandimi kryesor është që kreditë t’i marrin në lekë”, sqaron Civici.

Civici shpjegon se dobësimi i euros karshi monedhës vendase është një problem shqiptar për shak se në ekonomi ka shumë euro në qarkullim. E gjasat që euro të forcojë pozitat të paktën gjatë muajve të verës janë të pakta.

“Nga ajo çfarë duket në tregjet financiare dhe monetare ndërkombëtare, euro është një monedhë stabël. Problemi ka ndodhur në tregun e brendshëm në Shqipëri. Nuk ka një rënie të euros në raport me dollarin, paundin britanik apo me monedha të tjera.

Në Shqipëri, si pasojë e kërkesë-ofertës dhe disponibilitetit të madh të euros në këto momente për shumë arsye se nga vijnë, aq më tepër që po afrohet edhe sezoni turistik dhe sasia e eurove në qarkullim shtohet, por edhe për një tërheqje më të dobët që ka ekonomia shqiptare për sa i përket eurove, pra nevoja që kanë tregtarët dhe biznesmenët për të blerë produkte jashtë dhe për ta përdorur euron më shumë, ka një forcim relativ të lekut në raport me euron.

Gjithsesi mendoj se kjo situatë të paktën nëse nuk ndodhin ndryshime strukturore të rëndësishme deri në fund të shtatorit-tetorit do të vazhdojë të jetë në këto nivele”, shpjegon eksperti.

Sipas kursit zyrtar të BSH, sot një euro në vendin tonë këmbehet me 134.87 lekë.

*Kjo kronikë është transmetuar në Tv Channel One

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Itali, 33 vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në punë

Close