Kreditë e buta, një muaj kohë për aplikimet e reja në Tiranë
11/05/2017 - 16:52

Rreth 13 mijë familje të pastreha kanë aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit. Drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Anisa Rustemi, shpjegon procedurat e aplikimit që duhet të ndjekin të intresuarit për të blerë një apartament me kredi të butë.

“Qytetarët do të duhet t’i drejtohen njësisë administrative ku ata janë të regjistruar për plotësimin e formularit të strehimit, i cili vërteton që ata nuk kanë një banesë ose një ambient që mund ta përdorin për banimin e tyre. Pasi të kenë aplikuar në njësinë administrative, të plotësojnë gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe atë personalisht ta dorëzojnë pranë pritjes së qytetarit në Bashkinë e Tiranës. Ne kemi 13 mijë aplikime kërkesë për strehim, nga të cilat, 91% e tyre janë për persona të cilët nuk kanë absolutisht një strehim. Ndërsa në lidhje me programin për kreditë e buta, në monentin kur kemi propozuar vendimin në Këshillin Bashkiak kemi pasur 1800 dosje. Ky është një program i cili përfundon në vitin 2017, do të jenë 1 mijë familje të cilat do të kenë përfituar nga subvencionimi i kredisë së butë nga Bashkia e Tiranës”, shprehet Rustemi.

Për të përfituar nga programi i kredive të buta të strehimit me interes 3%, aplikantët do të kenë një muaj kohë në dispozicion, ndërkohë që lista e parë e përfituesve parashikohet të miratohet në muajin qershor.

“Ne kemi nisur thirrjen nga data 8 maj, kur kemi nisur zyrtarisht njoftimin për publikun për këtë program. Sipas udhëzuesit operacional, kjo do të jetë një periudhë kohe prej 1 muaj, që mbaron në datën 8 qershor. Të gjitha dosjet të cilat do kenë mbaruar së aplikuari në Bashkinë Tiranë deri në datën 8 qershor do t’i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit të Strehimit dhe më pas lista kalon për miratim në Këshillin Bashkiak. Në miratimin e Këshllit Bashkiak ajo listë e përfunduar i kalon bankës së nivelit të dytë. Të gjitha familjet të cilat do të përfitojnë nga ky program do të kenë një interes të qëndrueshëm përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kredisë e cila është deri në 20 vjet, prej 3 %”, sqaron drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës.

Prioritet në përzgjedhjeve e përfituesve do të kenë çiftet e reja. Rustemi sqaron se struktura e familjes ka ndryshuar për t’u dhënë më shumë mundësi familjeve që të përfitojnë.

“Mënyra se si është projektuar është për t’i dhënë prioritet çifteve të reja. Niveli i të ardhruave ka ndryshuar sepse referenca ishte ajo e vitit 2012. Ajo që ka ndodhur me strukturën e familjes është që e kemi bërë pak më fleksibël. Pra, një familje e cila është me 1 deri në 3 anëtarë mund të ketë një nivel të ardhurash për të përballuar një garsionere ose 2 deri në 4. Fakti që i kemi dhënë strukturave të familjes dy alternativa e kemi bërë që t’i japin sa më shumë mundësi njerëzve për të përfituar”, sqaron Rustemi.

Paralelisht me programin e kredieve të buta, Bashkia e Tiranës ka mbështetur me bonus qiraje 320 familje të pastreha që jetojnë me të ardhura minimale, sikurse ka bërë edhe ndarjen e 385 apartamenteve sociale në Shkozë.

Nga: Jonida Tashi 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Vetting, Former President: Judges want to cover their irregularities

Close