Monitorimi i bizneseve - Kamerat kosto për biznesin, Zekja: 1 mijë euro një sistem i thjeshtë
14/03/2017 - 21:35

Dhjetori i këtij viti është afati i fundit i lënë në dispozicion të bizneseve për vendosjen e kamerave të sigurisë.

Ligji i qeverisë shkaktoi debate në studion e emisionit “Ekopolitikë” në RTV Ora News të gazetares Aurora Sulçe, ku paneli i të ftuarve u nda në qëndrimet e tyre rreth këtij plani masash dhe mbi rolin e policisë private në këtë drejtim.

Sipërmarrësi, Florjan Zekja, thotë se kostoja për të instaluar një sistem të thjeshtë kamerash shkon 800-1000 euro.

Përkundër avantazheve që sjell për biznesin, Zekja thotë se kjo është një kosto shtesë për biznesin.

 Albert Dervishaj, shefi i Sektorit të Rendit në Drejtorinë e Policisë: U analizuan shifrat e kriminalitetit, problematikat e ndodhura në disa biznese apo subjekte të ndryshme, u panë se ishte e domosdoshme të ridimensionoheshin edhe njehërë masat e sigurisë publike në funksion të realizmit të qëllimit për të krijuar garancinë dhe sigurinë e plotë të bizneseve.Parlamenti shqiptar me propozim të qeverisë në shtator të 2016 miratoi ligjin numër 19 për masa shtesë të sigurisë fizike që ka përcaktuar një sërë masash që bizneset, policia e shtetit, subjekte të ndryshme duhet të ndërmarrin në një afat të caktuar kohor për të rritur shkallën e sigurisë të  aktivitetit të tyre. Sipas ligjit që hyri në fuqi në 28 dhjetor 2016 kishte afat tre mujor për të përgatitur paketën e akteve nënligjore në zbatim të tij që janë përgatitur dhe dërguar për miratim dhe  28 dhjetori 2017 është afati i fundit që bizneset duhet  të kenë marrë masat shtesë të sigurisë.

 A garantojnë kamerat uljen e grabitjeve në biznese?

Dervishaj: Masat shtesë të sigurisë nuk mund ti personifikojmë vetëm me kamerat për arsye se janë një kategori. Ato janë të kategorizuara në subjekte me risk të lartë për rendin publik që janë bankat, karburantet, lokalet e natës, kazinotë që duhet të aplikojnë disa masa shtesë sigurie. Mjaft prej tyre kanë kamera, por jo të gjitha. Si bankat, lokalet e natës, apo kazinotë pas ngjarjeve të ndryshme kriminale që kanë ndodhur kur janë analizuar kamerat apo sistemet e tjera elektronike nuk kanë arritur të përceptojnë një element kriminal apo të japin karakteristikat e sakta të tij për të shkuar drejt autorit. Ky ligj dhe udhëzimi i Ministrit përcakton që kamerat duhet të jenë me një cilësi të lartë, me infra të kuqe që të filmojnë ditën dhe natën, të dallojnë targat e automjeteve. Nëse në një karburant hyn një automjet me elementë kriminelë dhe pasi realizojnë grabitjen siç ka ndodhur, aktalisht në asnjë karburant nuk janë fiksuar targat e automjeteve sepse kamerat janë të cilësisë së ulët dhe për shkak të aplikimit të një teknologjie të vjetër. Mund të kenë vendosur kamerat para 10 vitesh. Po të marrim kazinotë, një nga objektet më të riskuara, duhet të ketë lexues optim të letërnjoftimeve apo pasaportave në mënyrë që çdo shtetas që do ta frekuentojë duhet të ketë me vete letërnjoftimin. Subjekti është i detyruar ta kontrollojë me lexues optik dhe të krahasojë të dhënat e personit që hyn në kazino me të dhënat që janë në letërnjoftim.

Akil Kraja, drejtor ekzkeutiv i Fondacionit për Liri dhe Demokraci në PD: Siguria dhe ekonomia shkojnë bashkë.Është jetike për një vennd që bizneset të ndihen të sigurta. Kur MB pranon në analizën e saj që ka një degradim të rendit publik kjo nënkupton një rritje të riskut për të investuar në Shqipëri. Në rrafshin kushtetues, shteti përceptohet se ka monopolin e forcës mbi një territor specifik. Me vendimin që prezantuat janë subjekte ekonomike me mbi 50 punonjës, pallatet, parkingjet, qendra spitalore, institucionet arsimore, këndet e lojërave.Ju u thoni këtyre subjekteve futjen me ligj të policisë private plus kamerat. Shteti po zhvishet nga detyra kushtetuese për të siguruar rendin. Është e rëndë kjo. I thotë qytetarit dhe biznesit që ti paguan taksa për sigurinë por unë ta garantoj dot dhe po të fus një taksë të fshehur që është policia private. Në rrafshin teknik, xhiroja e policisë private është dyfishuar, ka arritur rreth 60 milion dollarë nga 30 që ka qenë para katër vitesh. Biznesi ka një kosto në të bërit biznes që nuk mbulohet nga shteti pavarësisht taksave që rriten. Pika e tretë, rrafshi politik. Kjo vendimarrje është prova që shteti dështoi.Është një klimë e tërë që e shtyp biznesin.

 Dervishaj: Policia private ka qenë në të njëjtin numër prej disa vitesh.Kjo ecuri ka qenë dhe para tre vitesh.

Gert Shella, përfaqësues i shoqërisë civile: Udhëzimi nuk sjell më shumë siguri publike, veçse sjell më shumë shpenzime të bizneseve në rastin konkret. Udhëzimi garanton më shumë shitje kamerash sesa na shton ne dozën e sigurisë.Ka një mospëlqim të përgjithshëm të shqiptarëve që vëzhgimi 24/24 tingëllon si një paradhomë e strukturave totalitariste.Sigurisht që siguria vjen para lirisë.Por me këtë ligj në mënyrë të njëanshme vendoset një dinamikë e re ku individit i kërkohet të dorëzojë privatësinë  e tij. Dhe nga ana tjetër ata që janë administrues të këtyre të dhënave që rriten në mënyrë eksponenciale nga administratori i pallatit  deri tek shumë institucione të tjera publike dhe private. Duhet një konsensus më i gjerë publik, nuk ka funksionuar diçka tek konsultimi për këtë ligj.

Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë: Jemi goxha vonë për të diskutuar. Duhet të kishte pasur konsultim paraprak.Duhet të kishte filluar me një pilot dhe pastaj të shtohishon dhe kategori të caktuara që mos të rrisnin kaq shumë barrën. Do ketë një investim shtesë çdo biznes që do ndikojë tek çmimet.

 Florjan Zekja, sipërmarrës: Është një investim që e kam bërë por për interesat e mia të ndërmarrjes sime. Dua të pyes zotin Dervishaj flitet për ambientet e brendshme apo të jashtme?

Dervishaj: Ligji dhe aktet e tjera e kanë të përcaktuar qartë proçedurën si do operohet për zbatimin e tij. Drjetoria vendore e policisë do bëjë një studim për rrezikun që paraqesin subjekte të ndryshme, në bazë të këtij studimi subjekti X do të njoftohet zyrtarisht të implementojë masat shtesë dhe në bazë të kushteve do përcaktohen masat shtesë. Bankat kanë aplikuar masa shtesë sigurie në ambjente të brendshme dhe të jashtme dhe ka funksionuar shumë mirë dhe mbikqyrja e ambjenteve jo kofindenciale, jo private. Kamerat do jetë në fokusuara në hyrje dhe pjesën ku ndodhen vlerat monetare. Për bizneset e tjera do bëhet studim dhe analizë risku. Masat shtesë nuk janë në gjitha bizneset në të njëjtin nivel.

Kraja: Pse po paguajmë taksat atëherë?Para një muaji policia e shtetit kaloi dhe një vendim që fut për herë të para tarifat nëse një subjekt privat dëshiron të kontraktojë policinë e shtetit jashtë orareve zyrtare. Shteti ndaj biznesit po zhbëhet ndaj detyrave primare kushtetuese.

Zekja: Për të bërë një sistem të thjeshtë kamerash më duhen 800-1000 euro. Kurse po të mbështetem tek një shoqëri SECURITY më kushton 100 euro në muaj. Janë kosto që biznesi në bazë të këtij ligji duhet ti përballojë.Unë i kam vendosur dhe i kam pasur si avantazhe. Dyshimet e mia janë  që ne kur bëjmë një plan biznesi para se ta hapim duhet të kemi parasysh që do të kemi një kosto shtesë prej 800-1000 euro, plus dhe një kontroll më shumë nga policia e shtetit që do kontrollojë këto masa.

 

 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
BOOM: Në Marinzë, të vdekurit dëmshpërblehen për tokat e dëmtuara

Close