Nisma - Italia kthen pas Call Center-at?! Qeveria thirrje biznesit
08/03/2017 - 14:14 Nga: Xhoi Malësia

Sipërmarrjet e shumta të Call Center-ave në vendin tonë, mund të kërcënohen sërish nga një nismë e fundit e qeverisë italiane, e cila ka nisur zbatimin e një plani që synon të rikthejë vendet e punës në Itali. Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Itali, do të tentojë që të shtyjë sa më shumë biznese drejt firmosjes së një marrëveshjeje e cila do të njihet si Memorandumi i Mirëkuptimit. Sipas kësaj nisme, sipërmarrësve italianë mund t’u ofrohen një sërë lehtësish për t’a zhvilluar aktivitetin në vendin e origjinës.

Qeveria e Italisë është gati të nisë një tjetër përpjekje për të kthyer bizneset e shumta të Call Center-ave që janë hapur jashtë vendit nga sipërmarrës italianë, siç janë bizneset e ngritura në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera ballkanike.

Gjithçka është pjesë e një plani që po hartohet nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda, i cili do të synojë gjatë muajve të ardhshëm që të shtyjë sa më shumë kompani drejt firmosjes së një Marrëveshjeje që do të njihet si Memorandumi i Mirëkuptimit.

Kjo nismë synon që të krijojë afro 20 mijë vende të reja pune përmes skemës së përfolur edhe më herët, e cila parashikon rikthimin e një sërë kompanive, ku përveç Call Center-ave, përpjekje do të ketë edhe për kompanitë e telekomunikacionit, energjisë, sismeve bankare, etj.

Ky protokoll nuk do të jetë detyrues, por me planin që pritet të zbardhet i plotë së shpejti, kompanive mund t’u ofrohen një sërë lehtësish për t’i nxitur që ta kthejnë aktivitetin në vendin e origjinës.

Në këtë mënyrë, nisma e re e qeverisë italiane rrezikon mbylljen e mijëra vendeve të punës në Shqipëri.

Në bazë të të dhënave zyrtare, në vendin tonë përllogaritet se 25 mijë persona janë të punësuar në sipërmarrje Call Center, ku shumica e të cilave janë sipërmarrje italiane.

Gjithashtu, në Shqipëri janë operativ edhe biznese të tjera, të cilat qeveria e Romës do të synojë t’i kthejë pas në Itali.

Kjo është hera e dytë brenda pak muajve që që Italia bën një përpjekje për t’i dhënë prioritet rikthimit të vendeve të punës.

Megjithatë, nuk dihet ende se sa do të merret parasysh thirrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nga sipërmarrësit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Political dialogue, PM Rama: Ready to dialogue, but without conditions

Close