Industritë që udhëheqin - Industria e materialeve të ndërtimit e manifaktura udhëheqin ekonominë
20/06/2017 - 16:58 Nga: Pranvera Bozhiqi

Industria e materialeve të ndërtimit, tulla e çimento dhe lënda e parë për industrinë e manifakturës lëkurë, janë ato që udhëheqin ekonominë dhe rritjen e eksporteve shqiptare. Presidenti i Qendrës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi, thotë se këto industri kanë fituar qëndrueshmëri në treg dhe zhvillimi i tyre është i vazhdueshëm, por problemi mbetet tek papërfillshmëria e produkteve bujqësore e blegtorale të cilat kanë mbetur në stanjacion.

Shqipëria regjistroi rritje të eksporteve të mallrave në pesë muaj, duke arritur 111 mld lekë të kryesuara nga tullat, çimentoja, lëkura dhe lënda e parë për manifakturën si edhe energji elektrike, lëndë djegëse apo minerale.

Në shpjegim të të dhënave zyrtare, Presidenti i Qendrës së Eksportuesve Shqiptare, Alban Zusi, thotë se industria e materialeve të ndërtimit dhe ajo e manifakturës janë sektorët që po udhëheqin përpara ekonominë e vendin.

Zusi: Ekonomia shqiptare, pjesa e industrisë përgjithësisht sepse qoftë  materialet e ndërtimit, qoftë edhe tekstilet, këpucët, manifaktura, industria e lehtë në përgjithësi, janë sektorët të cilët po tërheqin ekonominë përpara dhe do të thotë se janë të vendosur mirë në tregjet europiane dhe po rriten në mënyrë të vazhdueshme.

Zusi ngre shqetësimin e papërfillshmërisë së eksporteve të produkteve bujqësore e cila është në stanjacion, ndërsa në kahun negativ po shkon importi i këtyre prodhimeve që ka trend rritës.

Zusi: Problemi na qëndron tek industria ushqimore, tek bujqësia e cila pas një shkëlqimi në periudhën e viteve 2014-2015, tani ka mbetur përsëri në një lloj stanjacioni, dhe është e kuptueshme për faktin që produktet elektorale që janë korpusi kryesor i prodhimit bujqësor, janë të pa eksportueshme.

Referuar muajve të fushatës elektorale, ka pasur një hezitim dhe frikë për të bërë investime jo vetëm të huaja, por edhe nga sipërmarrësit vendas.

Zusi: Nëqoftëse gjatë këtyre 6 muajve të parë do të kishim pasur investime kjo do të reflektojë në rritje të eksporteve dhe të prodhimit në muajt që vinë.

Por pavarësisht ndikimeve, Alban Zusi, thotë se trendi rritës i eksporteve do të vijojë.

 Në raportin më të fundit të INSTAT për tregtinë e jashtme, eksportet e mallrave ishin kryesisht me Italinë dhe Kosovën ku respektivisht në Itali shkëmbimin më të madh tregtar e ka manifaktura dhe me Kosovën materialet e ndërtimit.

/Oranews.tv/

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close