Furnizimi me energji - I nxehti than Fierzën, 55% e nevojave me energji mbulohet nga importi
30/06/2017 - 17:32 Nga: Pranvera Bozhiqi

Ditët e nxehta dhe të thata shfaqen kërcënuese për furnizimin me energji elektrike ndërsa baseni ujor i liqenit të Fierzës po humbet çdo ditë 40 cm ujë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përballë uljes së prodhimit vendas i është drejtuar importit, duke blerë 17 mln euro energji dhe siguruar furnizimin për muajin korrik. Stakimet e energjisë elektrike të ditëve të fundit në kryeqytet sipas drejtorit të Shpërndarjes, Elton Sevrani, kanë qenë pasojë e fluksit të punimeve publike që po kryhen në Tiranë.

Niveli i ujit në basenin liqenor të Fierzës po shkon drejt zbrazjes së plotë ku për çdo ditë sasia e ujit bie me 40 cm.

Tharja e liqenit shfaqet kërcënuese për furnizimin me energji elektrike të vendit në këto ditë të nxehta ku prodhimi vendas është minimal.

Të gjendur në këtë situatë, OSHEE ka kthyer sytë nga importi i energjisë duke mbuluar 55% të nevojave në rrjet.

Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes, Elton Sevrani, thotë se janë marrë masat për të përballuar ngarkesën e këtyre ditëve, ndërsa me financimin e kompanisë është siguruar furnizimi me energji për muajin korrik duke blerë 17 milion euro energji.

Elton Sevrani: Kemi marrë masa duke bërë blerjen nga tregu i parregulluar me anë të procedurave të importit normale që kryehen çdo muaj. Sot që flasim, pak a shumë jemi në një ngarkesë rreth 17 mijë megavat/orë në ditë, mbi 55% mbulohet nga blerja që kemi bërë në treg të parregulluar, importi. Pjesa tjetër nga prodhimi i KESH dhe HEC-eve lokale që për fatkeqësinë e situatës janë në një prodhim minimal të tyre. Flasim për një periudhë që do të shikohet muaj pas muaji. Nuk mund të japim një garanci për gushtin dhe shtatorin. Pra garantojmë korrikun.

Sevrani shpjegon se ndërprerjet e energjisë elektrike në kryeqytet ditët e fundit nuk kanë qenë stakime nga OSHEE por për shkak të defekteve teknike të shkaktuara nga fluksi i punimeve publike që po bëhen nga institucionet shtetërore.

Elton Sevrani: Në kryeqytet për shkak të një fronti të madh punimesh që është hapur kryesisht nga operatorë jashtë sistemit të shpërndarjes, punë publike të institucioneve të tjera, ka ndikuar në dëmtimin e rrjetit të shpërndarjes. Kjo është zëri kryesor pse kanë ndodhur stakimet.

Niveli i Fierzës aktualisht është afërsisht 247 metër, ndërsa prurjet nuk i kalojnë 100 metër kub në sekondë.

Këto të dhëna tregojnë se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë nga 250 në 300 metër kub për sekondë, situatë kjo që mund të bëhet premisë për një krizë energjitike gjatë muajve të verës.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
City hall’s investments, Mayor inspected work for construction of 23rd playground

Close