Muajt e bardhë për biznesin - Gërxhani: Tensioni politik, ngrirje dhe dëme ekonomike
29/03/2017 - 13:56 Nga: Pranvera Bozhiqi

Biznesi është ai që paguan koston për ngërçet politike dhe institucionale.

Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë shprehet se periudhat para e pas proçeseve zgjedhore janë muaj të bardhë për biznesin.

Ajo që kërkon është dialogu dhe qetësia politike për të vijuar me projektet dhe nismat ekonomike.

Shkodra: Ne duam të di se çfarë do të ndodhi përgjatë këtyre dy muajve. Çfarë do të ndodhi me zgjedhjet? Do kemi zgjedhje apo jo? Arsyet janë të thjeshta. Investitorët duan të dinë se çfarë do të ndodhë me investimet e tyre. Investitorët e huaj janë shumë më tepër të interesuar të dinë se si do të jetë ecuria. Do të vijojnë të kërkojnë nga faktori politik më shumë qartësi dhe transparencë. Kriza politike në vetvete e mbart një lloj paqartësie edhe në operimin dhe aktivitetin e qeverisë.

Tensionet politike para dhe postzgjedhore ndikimet e drejpërdrejta i kanë në sektorin e turizimit.

Më herët operatorët turistikë kërkuan që zgjedhjet të mos zhvillohen në prag të sezonit veror. Kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve thotë se situata është e paqartë.

Gërxhani: Kush merret me punët ekzekutive në qeveri të merret me punët e veta dhe të mos shpërqendrohet nga tensioni politik. Nuk është sukses të thuash se po vijnë turistët. Kjo është merita jonë dhe e askujt në qeveri. Ajo që duhet është që masat të merren në kohë si për përgatitjen e sezonit turistik edhe për vendosjen e standardeve. Po nuk u vendosën standardet, atëherë do të vuajmë nga informaliteti, do të vuajmë nga mungesa e statistikave.

Ky paralajmërim që vjen nga komuniteti i biznesit po shoqërohet edhe me një ngrirje edhe në sektorë të tjerë me rëndësi për zhvillimin ekonomik, sikurse janë bankat. 

Në stanjacion kanë kaluar edhe projektet e investitorëve deri në muajt kur do të përfundojnë zgjedhjet dhe do të formohet qeveria e re.

Me risk edhe më të madh shihet mundësia për një shtyrje të zgjedhjeve.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Gjykata Speciale në Kosovë flet për arrestimet e para

Close