Alarmi - Forcimi i lekut, ekspertët: Me risk, rrezikon largimin e kapitalit jashtë
01/04/2017 - 16:04 Nga: Pranvera Bozhiqi

Ekspertët vlerësojnë nismën e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e ekonomisë, por për ta ajo është e vonuar në kohë. Masat drastike administrative për të injektuar monedhën vendase mund të kenë efektin e kundërt, për ta larguar kapitalin nga Shqipëria, shpjegon eksperti i ekonomisë Elvin Meka. Ndërsa vlerëson se depozitat në banka do të vijojnë të ulen. Qytetarët në kërkim të alternativave për investim, po e zhvendosin paranë në blerjen e letrave me vlerë tek private.

Ndërsa Banka e Shqipërisë po zhvillon beteja me euron dhe kur Guvernatori kërkoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur më shumë lekun, ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë një nismë të vonuar.

Sot është edhe më e vështirë. Profesori i ekonomisë, Elvin Meka, veçon se masat drastike administrative cënon largimin e kapitalit nga Shqipëria.

Meka: Shqipëria ka disa mangësi përsa i përket një zbatimi të shpejtë të masave të tilla, megjithatë Banka e Shqipërisë mund të fillojë me një dorë ose të themi një grup të caktuar instrumentesh ose masash. Duhet të evitojmë me çdo kusht marrjen e masave të forta, drastike, administrative të cilat japin efekt të kundërt ose më mirë të themi në disa vende specifike të caktuar në botë që kanë pasur një çështje të tillë madhore kanë dhënë efekte të kundërta.

Rreth 300 mln lekë më pak në depozita janar të këtij viti, por Profesor Meka shpjegon se kjo nuk lidhet me rënien e besimit në banka.

Meka: Kemi një zhvendosje të depozitave të njerëzve nga bankat, ato para po hiqen nga bankat dhe transferohen drejt fondeve të investimeve të cilat duke qenë se ofrojnë alternativën e investimit të këtyre parave edhe në monedhë vendase, kryesisht të letrave me vlerë që sigurojnë një kthim relativisht të kënaqshëm në raport me depozitat, është disa herë më i lartë se kthimi i depozitave, pra kanë gjetur një rrugë, mënyrë, alternativë të re, e cila në fund të ditës i kthen atyre shumë më tepër të ardhura sesa po ti mbajnë në banka.

Një fenomen i tillë pritet të vazhdojë, por cila është oferta e re?

Meka: Ka ardhur koha të mendohet seriozisht dhe kjo është një punë e vështirë, që sikundër dhe në botë, edhe në Shqipëri të konsiderohet një thellim i mëtejshëm i sistemit financiar drejt zhvillimit të tregut të letrave me vlerë private, pra korporatave, dhe të rritjes së numrit të pjesmarrësve në këtë treg, kryesisht në pjesën e investitorëve institucionalë.

Depozitat nuk po prodhojnë kthim të parasë pas prej disa vitesh dhe për këtë arsye paraja do të zhvendoset prej depozituesve drejt alternativave për fonde investimesh.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close