Kundër faljes - Dhoma Amerikane: Amnistia fiskale dekurajon biznesin e ndershëm
22/02/2017 - 20:07 Nga: Pranvera Bozhiqi

Qëndrim të kundërt me Ministrin e Financave dhe qeverinë ka ndarë Dhoma Amerikane e Tregtisë për ligjin e faljes së borxheve. Sipas Dhomës Amerikane, ligji dekurajon biznesin e ndershëm dhe favorizon tatimpaguesit që nuk i shlyejnë detyrimet ndaj shtetit, ndërsa i inkurajon ata të heqin dorë nga proçeset gjyqësore. Frymëmarrje për administratën tatimore dhe sipërmarrjen, ka qenë përgjigjia e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Vasilika Vjero.

Dhoma Amerikane e Tregëtisë ndan qëndrim të kundërt me qeverinë dhe Ministrinë e Financave për ligjin e faljes së borxheve të bizneseve.

Në një kohë kur Ministri Ahmetaj bëri publik vendimin e qeverisë, përfaqësuesja e Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi, përsëriti se kjo nismë dekurajon biznesin e ndershëm.

Uruçi:  Përsëritja e amnistive fiskale mendoj se dekurajon biznesin e ndershëm dhe favorizon vetëm tatimpaguesit që nuk i paguaj në detyrimet e tyre, aq më tepër kur ligji për amnistinë fiskale shprehet se do të përfitojnë nga kjo amnisti vetëm ata tatimpagues që heqin dorë nga proçedurat gjyqësore në proçes.

Por qëndrimin e Financave, institucionit hartues të ligjit, e përforcoi Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero.

Vjero: Do ti japë një frymëmarrje jo vetëm administratës tatimore që mbart në vetëvete të dhëna të tatimpaguesve të cilët sot dhe nuk ekzistojnë por do u japë mundësi dhe të gjithë tatimpaguesve që kanë detyrime të papaguara të mund të rregullojnë situatën e tyre tatimore në të mirë të biznesit.

Këto qëndrime u shfaqën në Forumin e Biznesit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë, ku u renditën edhe një sërë problematikash nga komuniteti i biznesit, ndër to edhe moszbatimi i ligjit për rimbursimin e TVSH-së dhe informaliteti.

Lexo më shumë: Falen 90 mld lekë detyrime, ligji kalon në qeveri

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Turqia varet nga Gjermania

Close