Euro përdoret pa kriter - Civici: Ulja e euros favorizon shlyerjen e kredive në valutë
15/03/2017 - 20:31 Nga: Pranvera Bozhiqi

Prej më shumë se një muaji monedha e përbashkët euro shënon ulje në tregun shqiptar në raport me lekun.

Eksperti i ekonomisë Prof. Adrian Civici shpjegon se kjo gjë favorizon ata që e blejnë atë për shlyerjen e kredive.

Civici: Favorin kryesor e kanë ato biznese ose ata persona që kanë marrë kredi me euro dhe të ardhurat e tyre kryesore i kanë me lekë, pra detyrohen ta blejnë euron në treg. Një euro më e lirë e bën dhe kredinë e tyre më të lirë dhe mundësinë e shlyerjes më të lirë. Por nga ana tjetër, për sa i përket sidomos eksportuesve shqiptarë një euro e dobët ua ul të ardhura dhe nga tjetër është e favorshme për importet shqiptare sepse një euro më e dobët natyrisht që mund të blejmë më lirë produktet që importojmë.

Euroizimi i ekonomisë shqiptare ka benefitet e saj por edhe riskun ndaj këmbimit valutor të bizneseve që operojnë me të, si çmimet e qerave, shitjes së pronave, etj.

Prof. Civici thotë se kërkohet një orientim më i mirë  në raport me lekun dhe përdorimin pa kriter të euros.

Civici: Çmimet kryesore qoftë për pasuritë e patundshme, qoftë për pagesat apo blerjet e mëdha vazhdojnë të anonçohen dhe bëhen në euro. Shumica e aktiviteteve qoftë të individëve, qoftë të biznesit bëhen në lekë dhe natyrisht risku ndaj kursit të këmbimit është shumë i madh. Nga ana tjetër stabiliteti i çmimeve në Shqipëri gjithmonë është i ndikuar nga luhatjet dhe lëvizjet e euros.

Ndësa euro vijon të ketë luhatje në kursin e këmbimit valutor, tre janë shkaqet kryesore që po ndikojnë mbi të.

Civici: Këto ditë pritet që federali i rezervave të marrë një vendim për rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë të interesit për dollarin çka nënkupton një forcim akoma më të madh të dollarit. Nga ana tjetër edhe në tregun e brendshëm shqiptar këto tendenca reflektohen, por reflektohen kombinuar dhe me faktorët e brendshëm ku raporti kërkesë-ofertë për sa i përket euros duket që për momentin kërkesa për euro nuk është aq e fortë sa çka qenë.

Politika stimuluese për të nxitur përdorimin e monedhës vendase ndërmerren edhe nga Banka e Shqipërisë për ti thënë stop euroizimit. Ndërsa këtë të mërkurë euro u këmbye me 135.46 lekë.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close