"Para e Pasuri" - Ciko: Bizneset e Kosovës kundër nismës së Ramës për bashkëpunim doganor
05/04/2017 - 16:26 Nga: Bleona Metushi

Afërsia gjeografike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe përdorimi i gjuhës së përbashkët nuk reflektohet edhe në ekonomi.

Eksperti i çështjeve tregtare, Ilir Ciko deklaron në rubrikën ‘Para e pasuri” të gazetares Aurora Sulçe se ka një shqetësim të rritur kohët e fundit nga biznesi për nivelin e ulët të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve.

Ciko shpjegon se bizneset kosovare janë kundër projektit të qeverisë shqiptare për bashkëpunimin doganor mes dy vendeve.

“Bashkëpunimi doganor është një projekt që përfshin edhe vendet e tjera të rajonit, të cilat duke qënë se janë vende më të mëdha mund të kenë fitime më të larta nga ky projekt. Nivelin e ulët të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve unë e shohë si një kundër reagim të bizneseve kosovare” , deklaron Ciko.

Ai shpjegon se mes dy vendeve ka barriera të shumta, që përkeqsojnë klimën e të bërit biznes ,ku kryesoret janë pagesat në dogana dhe mungesa e harmonizimit të legjislacionit.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet tona drejt kosovës arritën në vitin 2016 vlerën e 16.6 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie prej 4.3 miliardë lekësh kundrejt vitit të mëparshëm.

Ndërsa importet vlerësohen në 5.8 miliardë lekë, me rritje vjetore modeste prej vetëm 400 milionë lekësh. Duket se ecuria e shkëmbimeve tregtare ka vijuar e dobët edhe gjatë këtij viti.

Të dhënat zyrtare të disponueshme janë ato të dy mujorit 2017. Për këtë periudhë eksportet tona drejt tregut kosovar vlerësohen në 2.3 miliardë lekë nga 1.7 miliardë që ishin në janar-shkurt 2016; ndërsa importet kanë shënuar vlerën e 860 milionë lekëve, me rritje vetëm 335 milionë kundrejt dy mujorit të parë të vitit 2016.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me investimet. Në Kosovë operojnë 903 biznese shqiptare me një total investimesh prej 28.6 milionë euro vitin e kaluar. Kundrejt 2015-ës, investimet shqiptare në vendin fqinj janëv ulur me 11.5 milionë euro.

Ndërsa në Shqipëri, ofrojnë shërbimet e tyre 600 biznese kosovare, me një total investimesh prej 15.6 milionë euro për 2016-ën. Kundrejt vitit parardhës, vlera e investimeve kosovare në Shqipëri është dyfishuar, por mbetet ende në nivele të ulëta.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close