Raporti - BSH: Inflacioni u ngadalësua falë rënies së euros
10/08/2017 - 16:33

Raporti i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e dytë të vitit 2017 thekson se norma bazë e interesit ka qëndruar në nivelin minimal historik 1,25 % dhe pas rritjes së inflacionit në nivelin 2.4% në tremujorin e parë, inflacioni mesatar vjetor u ngadalësua në 2.0% në tremujorin e dytë. Në këtë ngadalësim kontribuan rënia e inflacionit të çmimeve të ushqimeve e të naftës dhe rënia e çmimeve të mallrave të qëndrueshme.

Përgjatë tremujorit të dytë, inflacioni vjetor u rrit nga 1.9% në muajin prill, në 2.0% në maj dhe 2.2% në muajin qershor. Nga ana tjetër, inflacioni i importuar vijon të jetë një faktor me ndikim të paqëndrueshëm. Tendencat mbiçmuese të kursit të këmbimit vlerësohet të kenë prodhuar një ndikim rënës në inflacionin e vitit të fundit

Raporti citon edhe Statistikat e publikuara nga INSTAT që tregojnë një rritje të shpejtë të aktivitetit ekonomik, përtej pritjeve të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit 2017.

Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.9% në nivel vjetor, i mbështetur nga rritja e prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kjo ecuri reflektoi si rritjen e kërkesës së brendshme ashtu dhe rritjen e kërkesës së huaj. Ndër komponentët e kërkesës, kontributin kryesor në rritje e kanë dhënë investimet dhe konsumi privat.

Karakteristikë e këtij Raporti është edhe ulja e interesit të kredisë. Tregjet financiare karakterizohen nga luhatje të vogla dhe norma të ulëta të interesit dhe këto kanë vijuar të shënojnë rënie, duke reflektuar si përcjelljen e politikës monetare, ashtu dhe përmirësimin e bilanceve të sistemit bankar.

Interesi mesatar i kredisë së re në lekë është ulur në 6.8% nga 7.3% një gjashtëmujor më parë. Gjithashtu, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron përmirësimin e kushteve të financimit edhe nëpërmjet elementeve të tjera “joçmim” të kreditimit.

Mbështetje më të lartë për financim, vëren Raporti, vijojnë të gjejnë individët, ndërsa kushtet e kreditimit për bizneset janë të pandryshuara. Përmirësimet në treguesit ekonomikë dhe monetarë reflektohen në rikuperimin e kreditimit të sektorit privat, ndonëse me ritme të ngadalta.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Opposition front , DP and SMI demand the removal of the prime minister

Close