Raporti - Ekonomia në rritje graduale, BE: Problem korrupsioni dhe informaliteti
23/05/2017 - 16:59 Nga: Sonil Frashëri

Bashkimi Europian vlerëson se ekonomia shqiptare është në rritje graduale dhe kjo do të vazhdojë për periudhën 2017-2019. Sipas raportit në kuadër të dialogut ekonomik dhe financiar me Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ende vuan nga informaliteti dhe korrupsioni ndërsa për t’u zgjidhur mbetet probemi i pronave dhe regjistrimi i tyre.

Ekonomia shqiptare po përmirësohet gradualisht, trend që pritet të vazhdojë në periudhën 2017-2019.

Ky është vlerësimi i Bashkimit Europian në kuadër të dialogut ekonomik dhe financiar me Ballkanin Perëndimor.

Sipas këtij vlerësimi, planet rregulluese fiskale pritet të jenë të moderuara, gjë që do sjellë edhe reduktimin e borxhit publik, ndërsa huatë e këqija janë ende të larta.

Shqipëria ka ende problem pronësinë mbi tokën, korrupsionin dhe nivelin e lartë të informalitetit si dhe sistemi gjyqësor, paparashikueshmëria e të cilit dekurajon investimet e huaja.

Bashkimi Europian rekomandon vendin tonë të reduktojë borxhin publik përmes rregullimeve fiskale si dhe të forcojë më tej administratën e taksave duke zgjeruar bazën e tyre.

Gjithashtu për Shqipërinë rekomandohet të zbatojë strategjinë e zgjidhjes së huave të këqija, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar si dhe të normalizojë politikën monetare.

Një pikë tjetër ku vendi ynë duhet të përmirësohet është edhe situata mbi pronat duke sqaruar pronësinë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës.

Rekomandimet e Udhërrëfyesit Politik për Shqipërinë

1-Të vazhdojë rregullimet fiskale duke pasur parasysh plotësimin e objektivave të treguara afatmesme për reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB-së. Të fusë masa të mëtejshme për konsolidimin fiskal, nëse reduktimi i borxhit rrezikon të mos e plotësojë objektivin.

2-Të këmbëngulë me përpjekjet e kohëve të fundit për mobilizimin e të ardhurave, në veçanti (i) duke forcuar më tej administratën e taksave; (ii) duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave; dhe (iii) duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi.

3-Të zbatojë masat e mbetura të strategjisë së zgjidhjes së huave të këqija. Të zbatojë masat e parashikuara në Memorandumin e Bashkëpunimit për rritjen e përdorimit me efektivitet të monedhës kombëtare, përfshirë kërkesat e diferencuara rezervë për lekun dhe depozitat në monedhë të huaj. Të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke rritur kapacitetin e autoritetit mbikëqyrës financiar. Të kthehet te normalizimi i politikës monetare nëse përqindjet e inflacionit konvergjojnë tek objektivi në mënyrë të qëndrueshme.

4-Të sigurojë ndarjen e plotë të aktiviteteve të transmetimit dhe shpërndarjes së sektorëve të energjisë elektrike dhe gazit, si dhe të fusë shkëmbimin e energjisë. Të miratojë dispozitat e nevojshme ligjore për promovimin dhe monitorimin e masave për përmirësimin e eficiencës së energjisë në përputhje me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

5-Të vazhdojë proceset e sqarimit të pronësisë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës, si dhe të krijojë një kadastër funksionale gjithëpërfshirëse dhe një e-kadastër deri në vitin 2019.

6-Të rrisë kapacitetet e shërbimeve të punësimit dhe sigurimin nga ana e tyre të masave aktive për tregun e punës për të papunët dhe joaktivët. Në fund të vitit 2017, të hartojë plane konkrete për të trajtuar punën e padeklaruar. Të intensifikojë trajnimin e mësuesve për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të mbështesë reformën kurrikulare.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close