Deklarata e Konfindustrisë - ‘Barra fiskale nga FMN në këmbim të huasë, dëmtoi investimet’
05/03/2017 - 21:42 Nga: Pranvera Bozhiqi

Marrëveshja 3 vjeçare e shtetit shqiptar me FMN nuk ka prodhuar rezultatet pozitive të pritshme.

Ky është qëndrimi i shprehur nga Konfederata e Industrive të Shqipërisë, e cila shpjegon më tej se zbatimi i programit nuk ka mundur të sigurojë rritje ekonomike të mjaftueshme që do të mund të justifikonte rritjen e ndjeshme të borxhit publik.

Në 3 vitet e zbatimit të marrëveshjes rritja mesatare ekonomike vjetore nuk ka kaluar nivelin e 2.5% të PPB, thotë Konfindustria, ndërkohë që borxhi publik në fund të vitit 2016 përllogaritet në 71% të PPB me një rritje prej 7-9%, varësisht mënyrës së vlerësimit.

Kjo do të thotë, sipas Konfederatës, se rritja ekonomike është mbështetur tërësisht në rritjen e borxhit dhe nuk garanton qëndrueshmëri fiskale dhe financiare në vitet në vijim.

Konfindustria vlerëson më tej se politika e rritjes së barrës fiskale për bizneset dhe qytetarët në këmbim të marrjes së borxhit, e parashikuar në marrëveshjen me FMN, ka ulur konkurrencën rajonale të Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe të vendit, ka goditur mundësinë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe vështirëson formalizimin e ekonomisë kombëtare.

Vlerësimet e bëra sipas Konfindustrisë shprehen qartë edhe me niveli i ulët historik i kreditimit të ekonomisë, punësimit dhe masës së investimeve të huaja në 3 vitet e fundit përfshi edhe nivelin relativisht të lartë të kredive me probleme.

Konfederata e industrive mbështet rekomandimet e bëra nga FMN në vazhdimësi për qeverinë shqiptare, por thekson edhe një herë nevojën urgjente sipas saj për politika të reja fiskale me kah ulës dhe politika të reja ekonomike.

Së fundmi si pozitivisht vlerësohet ndikimi sektorit të energjisë në rritjen ekonomike, kryesisht të disa projekteve strategjike si TAP, HEC i Devollit etj të cilat ende janë në fazën e maturimit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Njësia elitë amerikane që do të vrasë Kim Jong-un?

Close